Miratohet rezoluta anti-korrupsion, deputeti Sula: Skenar ogurzi i pengimit të drejtësisë së pavarur

Rezoluta anti-korrupsion u votua me 76 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim. Pas votimit, deputeti i PD-së, Dashnor Sula e ka quajtur një skenar ogurzi të pengimit të drejtësisë së pavarur. Sipas deputetit, kjo rezolutë ka si qëllim që të mbajë nën kontroll SPAK-un dhe GJKKO-në.

”Ky parlament ka miratuar një rezolutë duke i hapur rrugën një skenari ogurzi të pengimit të drejtësisë së pavarur që ju pretendoni se do ta mbroni, pikërisht SPAK-ut dhe GJKKO-së. Kjo rezolutë nuk është asgjë tjetër veçse ngritja e një Komisioni të Posaçëm, i cili do të bëjë të mundur të thërrisni dhe t’i vini shkopinjtë nën rrota SPAK-ut, drejtuesit të SPAK-ut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë së pavarur që t’i mbani nën kontroll dhe nën fre”,-tha deputeti.

Sipas Sulajt, komisioni i posaçëm që do të ngrihet në sajë të kësaj rezolute të miratuar ditën e sotme ka si qëllim që të pengojë hetimet e SPAK.

”Arsyeja është e thjeshtë dhe e vetme sepse SPAK ka depërtuar aq larg duke pasur parasysh se përpara SPAK-ut, nën hetim janë figurat më të larta të kësaj mazhorance, kryetarë bashkie, ish-zëvendëskryeminstra e deputetë. Komisioni që do të ngrihet nga ana juaj do të bëjë të mundur drejtuesin e SPAK dhe do ta thërrisni atje përpara dhe pikërisht për të mbrojtur kryetarin e Bashkisë së Tiranës”.

SHKARKO APP