Home Aktualitet Moody’s: Ekon...

Moody’s: Ekonomia shqiptare kalon nga e “qëndrueshme” në “pozitive”

29
0

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Moody’s” rishikon në rritje perspektivën ekonomike të  Shqipërisë, e cila kapërcen nga “e qëndrueshme”, në nga  “pozitive” rishikimin e fundit, të publikuar në 19 Prill 2024.

Perspektiva “pozitive” pasqyron mundësinë e një skenari më të mirë fiskal sesa pritej, i cili mund të rezultojë në një përmirësim të qëndrueshëm të forcës fiskale të Shqipërisë.

Agjencia vlerëson se raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u kthye në një trajektore të qëndrueshme rënëse në vitin 2022, duke kompensuar plotësisht rritjen e borxhit përgjatë periudhës 2019-2021. Moody’s pret që raporti i borxhit ndaj PBB-së të ulet në 56.3% në vitin 2024 nga 59.2% në vitin 2023. Përtej këtij viti, Moody’s pret që raporti i borxhit ndaj PBB-së të qëndrojë në një trajektore të qëndrueshme rënëse, në sajë të suficiteve primare të pritshme dhe të një rritje të qëndrueshme të PBB-së.

Moody’s pret që autoritetet të respektojnë rregullat fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, të cilat përfshijnë një bilanc primar jo më të ulët se zero dhe një reduktim të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së çdo vit derisa të arrijë 45% të PBB-së.

Agjencia është e mendimit se rënia e borxhit pritet të nxitet nga reformat e vazhdueshme fiskale, përfshirë strategjinë afatmesme të të ardhurave dhe përmirësimet në menaxhimin e investimeve publike.

Po ashtu, vlerësohet se përmirësimi i konsiderueshëm i bilancit të llogarisë korrente kohët e fundit pritet të jetë strukturor, me vetëm deficite të vogla të parashikuara për vitet 2024-2025, të mbështetura nga bumi i turizmit dhe rritja e remitancave.

Agjencia është e opinionit se flukset e qëndrueshme të investimeve të huaja direkte në turizëm dhe energji, përmirësimet në produktivitet, si dhe rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës mbështesin një perspektivë pozitive ekonomike afatmesme. Moody’s parashikon një rritje reale të PBB-së në 3.5% në vitin 2024. Sipas vlerësimeve të agjencisë sistemi bankar mbetet i fortë dhe me likuiditet të lartë.

Sipas raportit, integrimi i mëtejshëm ekonomik me BE-në, partnerin më të madh tregtar të Shqipërisë, ka të ngjarë të përmirësojë potencialin e rritjes së ekonomisë të saj në afatmesëm dhe eventualisht të ngushtojë më tej hendekun në nivelet e të ardhurave me vendet anëtare të BE-së. Ndërkohë, një ndikim të rëndësishëm parashikohet të japë Plani i Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Elisabeta Dosku/ SCAN

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit