Niko Peleshi flet për zjarret: Situata serioze në Karaburun, gjatë ditës presim neutralizimin e flakëve

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka vizituar këtë të hënë bazën ushtarake të Pashalimanit, e cila është rrezikuar nga zjarret që kanë përshkruar së fundmi Vlorën. Peleshi ka thënë se të gjitha vatrat e zjarrit në vend, përfshirë Mamurrasin, Ksamilin dhe fshatrat e Fierit janë neutralizuar dhe shuar dhe e vetmja vatër serioze aktive vijon të jetë ajo e Karaburunit.

“Dua t’ju falenderoj sepse keni qenë në krye të detyrë dhe vijoni të jeni. Duke qenë se rrezikun akoma e kemi prezent, do të vazhdojmë punën me intensitet dhe presim të shuajmë flakët në pak orë. Por siç e thatë ju kushtet e motit janë të paparashikueshme. Solidarizohem me vendet fqinj, me Greqinë dhe Turqinë, por sidomos me shtetin turk. Dhjetëra të lënduar janë atje.

Solidarizohem me ta dhe i shpreh ngushëllimet familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre. Deri tani e kemi menaxhuar me sukses, s’kemi pasur të lënduar, djegie banesash. Situata e rënduar ku rrezikoheshin dhe banesat ishte në Ksamil, por fatmirësisht zjarret atje janë neutralizuar. Kemi tejkaluar situatën e vështirë në fshatrat e Fierit. Në orët e para të mëngjesit është fikur dhe zjarri në Mamurras.

Tani e vetmja vatër serioze është Karaburuni. Siç e thatë dhe ju, kemi shmangur prekjen e Parkut të Llogarasë. Kemi rreth 60 fluturime të helikopterit deri më tani, që ka dhënë impakt të jashtëzakonshëm. Por punën që kanë bërë forcat e armatosura, është e pazëvendësueshme, në këtë zonë që flakët cënuan dhe bazën e Pashalimanit. E vetmja vatër aktive serioze në vend është Karaburuni, ku do të jemi të përqendruar me forca ajrore, tokësore, për neutralizimin e tyre”, tha Peleshi.

SHKARKO APP