Një histori e treguar nga gazetarja e njohur Sonila Meço

Nga Sonila Meço-
Fiderelën e njoha gjatë pushimeve, në restorantin italian të një resorti. Tre nga mbi 30 punonjësit e Piazzeta-s me shef italian ishin shqiptarë. Për herë të parë këtë vit, me kontratë 6 mujore nga një agjensi punësimi jashtë vendit.
Deri këtu asgjë e jashtëzakonshme, të rinj 26 vjeçarë, në kërkim përvojash të reja e pagash më të larta.
Por kur nis e ia shtron bisedësh vendçe shqiptarçe të tipit: “e kujt je ti moj çupë në Tiranë?” zë e kupton se edhe në ato 10 ditë të bekuara distance fizike, mendore e shpirtërore nga raportet për Shqipërinë do të të përndjekin historitë e çdo dite me sakrifica e largime prej vendit. Fiderela ngre valixhet nga Lushnja për të studiuar Inxhinieri GjeoMjedisi për 5 vite ne Tiranë, kryen edhe masterin dy vjeçar në po atë degë, mbaron me rezultate shumë të mira dhe është mes të 20 të diplomuarve të kursit të saj nga 200 që hynë në krye e nuk ia gjetën bregun të ardhmes së tyre, ca pa muskuj, ca pa këllqe e ca pa vizion. Dhe Fiderela, e bërë gati për tregun e punës, e mençur, e mirë, plot energji nuk gjen dot asnjë “shenjë në breg”. Punë s’ka, punësimet në fushën e saj kërkojnë miq Tirane nga ata që lushnjarja e dlirë nuk ka. Alternativa? Një e vetme, të paktën të sigurojë jetesën.
Dhe valixhet sërish gati për një punë jashtë Shqipërisë, në kulturë e ambjent të ri, në një fushë shumë të ndryshme e larg investimit 7 vjeçar, në shërbim në restorantin e bukur me kuzhinë të shijshme siçiliane në një vend turistik. Një njoftim fatlum për punësim të shpejtë. E cilëson investim në një gjuhë të re, një mundësi financiare gjersa Tirana të mësohet me meritokracinë, një aventurë pa arritur ende të 30-at. Dhe mua më preku zemrën ëmbël e butë me edukatën, vullnetin, shërbimin, kulturën e formimin e saj sa i thashë thuaj mamës: “lum ajo për vajzën!”. Me Fiderelën shkëmbyem kontaktet, ia kërkova në rast se njohjet e mia japin një mundësi t’i rikthehet profesionit si inxhiniere gjeomjedisi, por mbi të gjitha për t’ju njohur me një shqiptare yll të punës, korrektesës, përkushtimit, dinjitetit dhe energjisë pozitive. Ja një yll instagrami për sot @fiderela__pepa ❤️

SHKARKO APP