Home Forum Një samit, sh...

Një samit, shumë simite dhe një mjeran

40
0

Nga Martin Leka

Në Tiranë u mbajt Samiti i Berlinit. Ngjarje madhore kjo për Shqipërinë, që u pasua me vizitën zyrtare, e para e një presidenti të Francës në Shqipëri. Sapo samiti mbaroi, lukunia e kritizerëve filloi të “lyejë” me baltë samitin. I gjithë fokusi dhe bateritë e kritikave ishin kundër kryeministrit. Si gjithnjë. Berisha tha është fasadë. Se kishte ftohje me Albinin, a thua se nuk e dinim…

Si një mjek në profesion, stetoskopin ja mbështolli në brinjë edhe Brnabiçit. Pa se edhe kjo ishte ftohur aty… Në Brinjë e në Banjskë! Sipas prognozës së doktorit, kryeministrja serbe e kishte inatin personalisht me “vëllain” e Vuçiçit, Edin pra, i cili e kishte tradhëtuar, duke kërkuar sanksione ndaj Serbisë pas ngjarjeve të fundit në Banjskë.

Më tej, Samiti prodhoi të tjerë foltoristë e analistë, si simitet e dalë nga furra: Samiti i Berlinit nuk solli asgjë të re. Dhe të gjithë në një shënjestër, Ramën. Duke e sulmuar aty ku ai ka parzmoren me mburojën më të fortifikuar. PR e vet!

Ju rrofshin shigjetat!

***

Pushtetin e mori Saliu. Albana Vokshi u bë Kryetare e Parlamentit. Të tjerët ministra. Foltoristët, në akte ekstreme siç edhe i kemi parë në të kaluarën, bllokuan parlamentin me zhurma e kërcitje karrigesh e bërtima. Seanca u ndërpre, por Berisha me të tijët, nuk denjuan të dalin nga salla e madhe e Kuvendit. Ashtu në terr, falë teknologjisë, ai bëri apologjinë e qeverisjes së Ramës. Me të njëjtat terma të përditshëm, si një shirit kasete i një magnetofoni të vjetër, nga ata që merreshin dikur me autorizim. Edhe pse kjo metodë e njohur opozitare nuk ka shtuar vota në thesin e opozitës, Berisha, si një aktor reklamash, provon përsëri.

Foltoristi më i ri, Gaz Bardhi tha: “Nuk do lejojmë funksionimin normal të parlamentit”. E përkthyer në shqip-shqip, i bie që Gazi është i mendimit që funksionimin e parlamentit ta bëjë anormal, meqë paska qenë normal e që ky nuk do lejojë funksionimin normal. Hajde merre vesh!

Nga ana tjetër, Edi Rama gulçon nga të qeshurat.

“Lum si unë për opozitën që kam”, thotë!

***

Në një TV informativ nga më të shikueshmit, me kapi veshi këtë dialog mes moderatores dhe të ftuarës.

-Moderatorja: Sa fëmijë ke?

-E ftuara: Kam tre fëmijë të vegjël, dy vajza e një djalë.

-Moderatorja: A je falenderuese për zotin që ti ka sjellë në jetë ata?

…E ftuara shtanget në habi dhe vetëm e sheh në sy, sikur do ti thotë: ç’është kjo pyetje?!

…Dhe moderatorja i ripërsërit sërish të njëjtën pyetje dhe pret përgjigjen që ka vetëm dy opsione, Po ose Jo.

Faik Konica i madh ka thënë: Zot më jep fuqi të mos flas kur s’kam asgjë për të thënë!

***

Në fund, si për kafe me “koçifoz”, vjen një shqiptar i veshur si me qefin të bardhë.

Ky e quan veten historian dhe se ku jeton diku nga vendet arabe. Punë e tij. Ylli Rakipi e kishte ftuar në emision për situatën e luftës mes Izraelit e Hamasit. E dini si tha? Merrni frymë thellë: “Hamasi është si UÇK”.

Ylli ja tha ç’kishte dhe për sa e lejon etika e moderatorit.

Të tillë si ky janë MJERANE që Zoti i ka si eksperimente për të dalluar njeriun nga kafsha.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit