Home Aktualitet Nxënësit në M...

Nxënësit në Mal të Zi me më pak “pesa” e më shumë “njësha”

21
0

Maturantët në Mal të Zi shënuan rezultat të dobët në provimin e maturës në gjuhën amtare – më të dobëtin në disa vite.

Ngjashëm kaluan edhe gjysmëmaturantët.

Analiza e Qendrës së Provimeve në këtë vend tregon se ka një mospërputhje të madhe mes notave përfundimtare që nxënësit i morën në shkollë dhe atyre që i morën në provimin e njohurive.

Kështu, për shembull, notën “shkëlqyeshëm 5” në lëndën gjuhë e letërsi malazeze, serbe, boshnjake e kroate e morën mbi 1.600 filloristë, ndërsa në provimin e njohurive vetëm 600.

Testimi i njohurive të maturantëve dhe gjysmëmaturantëve u përcoll me masa të rrepta kontrolli, përfshirë ndalimin e marrjes së celularëve në provim.

Këto masa pasuan pasi, vitin e kaluar, u konstatua se mbi 500 maturantë kopjuan në provim.

Profesoresha e gjuhës dhe letërsisë malazeze, serbe, boshnjake e kroate, Svetllana Drobnjak, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultatet e provimit të maturës, të zhvilluar nën masa kontrolli, pasqyrojnë njohuritë reale të nxënësve.

“Ne nuk duhet të habitemi dhe as të kritikojmë, por t’i marrim këto rezultate si pikënisje të planit tonë për përmirësim”, thotë Drobnjak.

Ajo shpreh besimin se, për shkak të këtyre rezultateve, gjenerata e ardhshme do ta marrë më seriozisht përgatitjen për testin e njohurive.

Çka tregojnë rezultatet e nxënësve të shkollave të mesme?

Vetëm 2.1 për qind e nxënësve të shkollave të mesme morën notën më të lartë – “shkëlqyeshëm 5” – në provimin e maturës në gjuhën e tyre amtare.

Kjo do të thotë katër herë më pak “pesa” sesa vitin e kaluar.

E, derisa numri i “pesave” ra, numri i gjimnazistëve që morën notën më të keqe – “pamjaftueshëm” ose “njësh” – u dyfishua.

Krahasuar me vitin 2022, “njësha” kishte tri herë më shumë.

Në mesin e nxënësve të shkollave të mesme, nxënësit e gjimnazeve arritën rezultate më të mira, në krahasim me nxënësit e shkollave profesionale.

Nga më shumë se 3.000 nxënës të shkollave profesionale, vetëm tetë morën “pesa” në testin e gjuhës amtare.

Kjo do të thotë 12 herë më pak “pesa” sesa vitin e kaluar dhe 20 herë më pak se në vitin 2020.

Çka tregojnë rezultatet e filloristëve?

Notat përfundimtare në shkollat fillore dhe ato të testit të njohurive janë mjaft të ndryshme.

Përderisa më shumë se 1.600 filloristë kishin “pesa” në gjuhën e tyre amtare, si nota përfundimtare në shkollë, më pak se 600 morën të njëjtën notë në provim.

Numri i “njëshave” të marrë në testin e njohurive, ishte pothuajse pesë herë më i lartë se në notat përfundimtare në shkollë – 264, përkatësisht 56.

Pothuajse e njëjta situatë ishte edhe me matematikën. Ndërsa rreth 1.400 nxënës morën “pesë” si notë përfundimtare, 400 nxënës e morën të njëjtën notë në testin e njohurive.

E, derisa rreth 190 nxënës kishin “njësh” si notë përfundimtare, rreth 1.250 nxënës e morën të njëjtën notë në test – pra 6.6 herë më shumë.

Kur bëhet fjalë për gjuhën angleze, 2.092 nxënës e morën notën “pesë” si notë përfundimtare në shkollë, por 500 më pak e morën të njëjtën notë në testin e njohurive.

Me “njësha” në gjuhën angleze e përfunduan shkollën 20 nxënës, ndërsa të njëjtën notë në testin e njohurive e morën 384.

Rezultatet në fizikë ishin më të këqijat në gjashtë vjetët e fundit, dhe në kimi dhe gjeografi në 12 vjetët e fundit.

As nxënësit me “Lluça” nuk kanë “pesa”

Ministrja e Arsimit e Malit të Zi, Angjella Jakishiq Stojanoviq, tha se ka një çekuilibër mes notave që nxënësit kanë pasur në fund të vitit shkollor dhe rezultateve të testit.

Në veçanti, ajo vuri në dukje dallimin mes notave të marra në test nga mbajtësit e diplomës “Lluça”, e cila u jepet nxënësve më të mirë.

Sektori joqeveritar dhe përfaqësues të komunitetit arsimor në Mal të Zi paralajmërojnë, prej vitesh, se pas diplomave “Lluça” nuk ka dijeni.

Në janar të vitit 2023, Qendra për Edukim Qytetar njoftoi se në pesë vjetët e fundit, më shumë se 10.000 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme kanë marrë “Lluça” – mesatarisht rreth 15 për qind e nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme.

Në testimin e sivjetmë morën pjesë mbi 300 nxënës me “Lluça”, por notën më të lartë e morën vetëm 102 nxënës, bëri të ditur drejtori i Qendrës së Provimeve, Millosh Triviq.

Drobnjak: Rezultatet – pika fillestare për përmirësim

Profesoresha Drobnjak thotë se paralelja mes numrit të “Lluça”-ve dhe pesësheve në provimin e maturës, nuk është adekuate.

“Nota në fund të vitit përmbledh disa parametra, e nota në test nënkupton një test. Në një numër të madh rastesh ajo pikë… dy ose tri që mungojnë në test, nuk mund të korrigjohen, por në shkollë po”, thotë Drobnjak.

Kur bëhet fjalë për numrin e notave të pamjaftueshme apo “njëshave”, Drobnjak thotë se është një alarm që duhet t’i shqetësojë të gjithë.

Ajo pret që këto rezultate të shndërrohen në “motiv” si për nxënësit, ashtu edhe për mësimdhënësit në vitet e ardhshme.

Përgatiti: Valona Tela /REL

https://www.evropaelire.org/a/nxenesit-ne-mal-te-zi-me-me-pak-pesa-e-me-shume-njesa/32985101.html

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit