Padi në SPAK për Sabrinën

Nga: Redjon Shtylla

Vrasja e Sabrina Bengajt nuk ka autor vetëm vrasësin, që është ish-bashkëshorti, por një zinxhir emrash. Babai i 23-vjeçares së ndjerë, Partizan Bengaj e konsideron çdo minutë që ikën një test për drejtësinë. Ai udhëtoi sot drejt Tiranës me shpresën se SPAK-u do të hetojë cilindo që firmosi shkresat lehtësuese për ta nxjerrë nga burgu të akuzuarin, Elton Metajn.

Drejtësia ende nuk ka nisur hetimet mbi akt ekspertizat e mjekëve ligjorë dhe vendimin e gjyqtarit Piro Sota, Ky i fundit ndryshoi mjekimin e detyrueshëm në mjekim ambulator, duke hapur në këtë mënyrë derën e burgut të Zaharisë për Metajn. Familjarët e Sabrinës kërkojnë edhe kujdestarinë e vajzës 3-vjeç. Ngjarjet e kësaj familje janë të shumta, që nga lidhja në moshën 13-vjeçe të së ndjerës, te dhunimi, kërcënimet dhe letra nga burgu e ish-burrit për 23-vjeçaren.

Vrasja e së resë tronditi thellë shoqërinë shqiptare, e cila u ngrit edhe në protesta me pjesëmarrje të lartë. Shumë gra dhe vajza dhunohen fizikisht dhe psikologjikisht dhe ndihen të rrezikuara brenda asaj çatie që duhet të ofronte siguri.

Në 9 muajt e fundit, 16 gra dhe vajza humbën jetën brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, të vrara nga bashkëshortët, partnerët apo familjarët e tyre. Kriminelët përdorën kryesisht armë zjarri, si dhe armë të ftohta si thikat. Sistemi i Drejtësisë është i kalbur dhe Policia është e paaftë për të mbrojtur të gjitha gratë me udhër mbrojtje, pasi urdhërat e mbrojtjes jepen, por veç me letër pasi zbatimi në terren nuk ndodh kurrë.

SHKARKO APP