Home Kronike PD akuzon: Gj...

PD akuzon: Gjinushi mban kreun e Akademisë së Shkencave pa dekretim nga Presidenti

59
0

PD-ja ka reaguar pas ndryshimit ligjor të depozituar në Kuvend që i hap rrugë Skënder Gjinushit të rizgjidhet sërish në krye të Akademisë së Shkencave. Deputetja Ina Zhupa, tha nga selia blu se ligji i cili është bërë për të shmangur mandatet e përjetshme dhe siguruar rotacionet e krerëve të institucioneve të pavarura, po zhbëhet nga qeveria. Sipas Zhupës, ndryshimi është në interes të kryeministrit Rama.

Deklarata e plotë

Siç bën ligjet me porosi, për t’u dhënë përfitime oligarkëve, tani Edi Rama po urdhëron ligje me porosi për t’i dhënë mandat të dytë aleatit politik Skënder Gjinushit.

Akademia e Shkencave sot drejtohet në mënyrë anti-kushtetuese nga një njeri që nuk është dekretuar nga Presidenti, që ka lidhje me shkencën aq sa plagjiatura e tij Caruana me gjuhësinë, që ka qenë kryetar partie politike kur është zgjedhur në krye të Shkencës.

Një njeri që pret t’i ndërpritet mandati nga Gjykata Kushtetuese, pas një padie të Partisë Demokratike, po lëviz gjithë fijet politike që të sigurojë në mënyrë, po anti-ligjore një mandat të dytë.

Në kuvend është depozituar një ndryshim ligjor, vetëm në shërbim të kapjes politike të akademisë së Shkencave nga Gjinushi, i cili e ka shpallur veten kryetar të përjetshëm, kryeredaktor të historisë, kryeredaktor të enciklopedisë.

Ligji është bërë pikërisht për të shmangur mandatet e përjetshme dhe siguruar rotacionet e krerëve të institucioneve të pavarura. Këto po zhbëhen me ndryshimet që kërkon Partia Socialiste.

Neni 11, në pikën 10, përcaktonte se “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi”.

Me ndryshimin e propozuar, pika 10 e nenit 11 bëhet, “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate”. Siç shihet është hequr togfjalëshi, “por jo radhazi”.

Cili është interesi publik në këtë rast që duhet mobilizohet Kuvendi për ndryshime ligjore? Si mund ta kthejmë Kuvendin në noter dëshirash dhe ambiciesh të aleateve politikë të Edi Ramës?

Akademikët meritojnë të kenë një akademi të pavarur, një akademi që bën shkencë, meritojnë të zgjedhin të pavarur drejtuesit e tyre dhe mos të ndërhyjë Kuvendi për të paracaktuar mandate të radhës për një njeri që nuk e lëshon karrigen e Akademisë, siç bëri dhe me të partisë, që e mbajti derisa ia shiti një ‘akademiku’ tjetër.

Partia Demokratike iu bën thirrje deputetëve socialistë të mos e mbulojnë me një turp të ri atë të vjetrin që bënë në urdhrat e Edi Ramës dhe interesave të tij të vogla politike.

Gjithashtu i bëjmë thirrje Gjykatës Kushtetuese të marrë në shqyrtim padinë tonë për ligjshmërinë e postit të kryetarit të akademisë. Çdo vonesë do ta kalcifikojë turpin që ka mbuluar institucionin e lartë të shkencës dhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojnë sa më parë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit