Home Magazine Përshendeteni...

Përshendeteni Bin Ladenin me portretin e Asdrenit, kujt i vlen kartmonesha e ”100″-es

48
0

Nga Klodian Tomorri

Emetimi i kartmonedhës së re me prerje 10 mijë lekë shkaktoi jo pak debate për tematiken, dizajnin por edhe portretin, që duhet të ishte aty. Por debati i vërtetë është; A i duhet ekonomisë shqiptare një kartmonedhë me prerje kaq të madhe? Dhe kush janë përfituesit më të mëdhenj nga kjo?

Çështja e parë është e debatueshme dhe mund të ketë argumenta nga të dy krahët, qe e mbështesin ose jo hedhjen në qarkullim të një kartmonedhe me vlerë ligjore të madhe. Por pyetja e dytë ka më pak debat. Përfituesit kryesorë të emetimit të 10 mijë lekëshit janë krimi dhe rryshfetxhinjtë në të dy ekstremet e spektrit të korrupsionit si rryshfetmarrësit ashtu edhe rryshfetdhënësit.

Prerjet e mëdha lehtësojnë levizjen e cash-it dhe ia bëjnë më të lehtë jetën djemve të këqinj. Konsideroni vetëm këtë shembull. Për të dhënë një rryshfet 1 milionë dollarë nevojiten vetëm 1 kilogramë kartmonedha 500 euroshe. Por nësë i njëjti rryshfet do të jepej me kartmonedha 20 euroshe do të duhej një thes 25 kg i rëndë dhe shumë i madh në përmasa. Ne nuk i dimë raportet e sakta të peshës për lekun, por është e qartë se 100 milione lekë rryshfet do të kërkonin një thes të madh me 1 mijë lekësha dhe vetëm një pako të vogël elegante me 10 mijë lekësha.

Ne Bashkimin Europian kartmonedha 500 euro u pagëzua me emrin Bin Laden. Arsyet ishin dy. Së pari, ashtu si Bin Ladenin edhe 500 euroshin, shume njerëz e dinin që ekzistonte, por shume pak e kishin pare ndonjëherë. Sipas vetë Bankës Qendrore Europiane, më shumë se 54 për qind e qytetarëve të BE-së nuk kishin patur kurrë në dorë një kartmonedhë 500 euroshe. Së dyti, prerja 500 euro u shndërrua në kartmonedhën kryesore të financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar. Jo më kot ish ministri francez i financave, Michel Sapin, dikur pati deklaruar: Ne nuk blejmë ushqime me kartmonedhën 500 euro, por bota e nëndheshme e përdor gjerësisht atë për biznes.”

Sipas përllogaritjeve të Bankës Qendrore Europiane, 70 për qind e kartmonedhave me prerje 500 euro zotëroheshin nga krimi i organizuar ose organizatat terroriste. Kjo ishte arsyeja se pse BQE në vitin 2019 ndaloi emetimin e fletushkës vjollcë.

Në SHBA, një grup ekonomistësh nga Universiteti i Harvardit me në krye ish sekretarin e thesarit, Larry Summers, i kanë propozuar qeverisë amerikane që të “vrasë” 100 dollarëshin për t’ia bërë jetën më të vështirë krimit. Madje sipas tyre, të njëjtin shembull duhet të ndjekë edhe Britania me prerjen 50 pound si dhe Zvicra me 1 mijë frangëshin e saj.

Në Shqipëri industria e rryshfetit është gjerësisht e përhapur dhe e ndarë mes euros dhe lekut. Por tani edhe Shqipëria do të ketë “Bin Ladenin” e saj me portretin e Asdrenit të stampuar në të. Ndoshta si pjesë e planit të Bankës së Shqiperisë për të inkuruajuar përdorimin e monedhës kombëtare në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Ndaj rryshfeti për një leje ndërtimi apo tender këtej e tutje do të peshojë fizikisht më pak dhe nuk do të kërkojë çantat e mëdha të zeza si më parë. Ministrat, kryetarët e bashkive dhe drejtorët e institucioneve publike nuk mund të jenë, përvecse të lumtur. Me gjasa, më shumë se 80 për qind e fletushkës së re me portretin e Asdrenit, do të jetë në duart, bodrumet apo oborret e vilave të tyre.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit