Policia kontroll me dronë super-inteligjentë, Çuçi: Po nisim një kapitull të ri

“Po nisim një kapitull të ri për modernizimin e Policisë së Shtetit. Ky 4-vjeçar do të shënojë hapin më të madh në lidhje me teknologjinë, që nga ngritja e aftësive në luftën kundër krimit kibernetik, deri tek kontrolli i i plotë i territorit me dronë super-inteligjentë”. Kështu është shprehur nga Shkodra ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi teksa mori pjesë ne ceremoninë e inagurimit të ambienteve të reja të Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Shkodër.

Sipas tij inagurimi i këtij investimi të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, është përmbyllje e një kapitulli për investimet infrastrukturore, të munguara deri dje, për të vijuar këtej e tutje me ngritjen e Policisë së Shtetit në një nivel tjetër.

“Ministria e Brendshme gjatë viteve të fundit ka nisur një projekt madhor për modernizimin në çdo qelizë të strukturave të Policisë së Shtetit, duke nisur nga pajisjet, mjetet e punës, trajtimin financiar, ambientet e reja, e sidomos nëpërmjet futjes së teknologjisë së avancuar dixhitale dhe pajisjeve të sofistikuara për të mbuluar detyra, që deri dje kryheshin përmes mbikëqyrjes fizike”, tha ministri Çuçi.

Aleati kryesor i Policisë në përballje me paligjshmërinë sipas ministrit janë qytetarët, dhe për të pa ndihmën dhe mbështetjen e të cilëve puna e Policisë së Shtetit dhe e të gjithë strukturave të tjera nuk jep rezultatet që duhen.

SHKARKO APP