14 masa sigurimi nga prokuroria për “Bankers Petroleum Albania Ltd”, ka nxjerrë 20 vite bilanc me humbje

Prokuroria e Fierit dhe Policia zbulojnë skemë mashtruese shumëvjeçare: Arrestohen drejtuesit e “Bankers Petroleum Albania Ltd”

Fier, 2 Korrik 2025 – Në kuadër të një hetimi të thelluar dhe të bashkërenduar mes Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, është finalizuar një operacion i suksesshëm që çoi në goditjen e një skeme të dyshuar mashtruese të kryer nga kompania “Bankers Petroleum Albania Ltd” dhe disa individë të lidhur me të.

Në zbatim të vendimeve të gjykatës, janë ekzekutuar 9 masa sigurimi personal me karakter shtrëngues ndaj drejtuesve aktualë dhe ish-drejtuesve të kompanisë, përfshirë shtetasin me kombësi kineze, Hongping Xiao (CEO aktual), dhe shtetasin shqiptar Leonidha Çobo (ish-administrator). Gjithashtu, 5 shtetas të tjerë, kryesisht të huaj, janë shpallur në kërkim.

Hetimet, të nisura në dhjetor 2024 me referim nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, kanë zbuluar skema të dyshuara të mashtrimit me TVSH-në, fshehje të të ardhurave, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, përmes deklarimit fiktiv të humbjeve për një periudhë mbi 20-vjeçare. Sipas të dhënave, kompania ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën mbi 532 miliardë lekë, ndërsa ka deklaruar humbje çdo vit, duke përfituar në mënyrë të dyshimtë rimbursime të TVSH-së.

Gjatë kontrolleve në zyrat e kompanisë dhe në disa banesa private janë sekuestruar prova materiale të rëndësishme, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për evidentimin e të gjithë personave dhe subjekteve të përfshira.

Prokuroria mbetet e angazhuar për ndjekjen penale të veprave që cenojnë interesin publik dhe dëmtojnë financat e shtetit.

Njoftimi i plotë:

Shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite, Prokuroria Fier lëshon 14 masa sigurimi për “Bankers Petroleum Albania Ltd”, 9 ekzekutohen 5 të shpallur në kërkim.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, lëshoi 14 masa sigurimi për ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ nën akuzë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, të parashikuara nga nenet 144/a, 180/3, 287, 248, 181/a të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.2063, datë 30.12.2024 nisën pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe pas një hetimi 6-mujor edhe me metoda të hetimit proaktiv, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë konsumuar elementet e figurave të veprave penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fuer dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbetet e angazhuar në ushtrimin me efektivitet të ndjekjes penale dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve të këtyre veprave që lidhen me taksat dhe tatimet.

SHKARKO APP