Kryetari i Bashkisë Shkodër: Investim strategjik për hyrjen kryesore të qytetit
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka njoftuar përmbylljen e procedurës së prokurimit dhe nënshkrimin e kontratës për një projekt madhor që transformon hyrjen e qytetit nga Harku i Bërdicës deri tek Ura e Bahçallëkut.
Ky investim, me vlerë 8.4 milion euro, është financuar plotësisht nga Qeveria Shqiptare dhe synon përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës dhe zbutjen e trafikut. Projekti përfshin zgjerimin e rrugës në 4 korsi për një qarkullim më të shpejtë dhe të sigurt, ndërtimin e trotuareve për të rritur sigurinë dhe aksesin për këmbësorët, ndërtimin e një ure të dytë mbi Drin paralel me urën ekzistuese të Bahçallëkut, si dhe përmirësimin e nyjeve kryesore të trafikut në Harkun e Bërdicës dhe tek Ura e re e Bunës.
Pas nënshkrimit të kontratës, punimet do të nisin menjëherë, duke premtuar lehtësimin e ndjeshëm të trafikut dhe eliminimin e radhëve të gjata, sidomos gjatë sezonit veror.
Postimi i plotë:
Mirëmëngjes!
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përmbyllur procedurën e prokurimit dhe lidh këto ditë kontratën e punimeve për segmentin rrugor të hyrjes së Shkodrës nga Harku i Bërdicës tek Ura e Bahçallëkut.
Ky investim i financuar plotësisht nga Qeveria Shqiptare me një vlerë prej rreth 8.4 milion eurosh përfshin zgjerimin e rrugës në 4 korsi, ndërtimin e trotuareve, ndërtimin e një ure të dytë mbi Drin paralel me urën ekzistuese të Bahçallëkut dhe përmirësimin e nyjeve te Harku i Bërdicës dhe tek Ura e re e Bunës.
Punimet, të cilat me lidhjen e kontratës do të fillojnë shumë shpejt, do të kenë një ndikim të madh në zbutjen e trafikut e radhëve të gjata sidomos gjatë sezonit veror. Si bashki po punojmë ngushtë me ARRSH-në për të siguruar një projekt sa më funksional e të sigurt për të gjithë përdoruesit, banorët dhe bizneset përgjatë rrugës. Me angazhimin shumë serioz të qeverisë shqiptare dhe një bashkëpunim dinamik qeveri vendore-qendrore në çdo sektor, një erë e re po fryn për Shkodrën.