Home KRYESORE Presidente Vo...

Presidente Von der Leyen: Nisja e bisedimeve me Tiranën e Shkupin brenda vitit

112
0

Presidentja e Komisionit europian Ursula von der Leyen deklaroi sot gjatë vizitës së saj në Shqipëri se ajo po përpiqet në mënyrë që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mund të realizohet para fundit të këtij viti. Të dyja vendet kanë marrë dritën jeshile nga Këshilli europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, por organizimi i konferencës ndërqeveritare e cila shënon dhe nisjen zyrtare të këtij procesi është bllokuar nga Bullgaria, për shkak të kërkesave të saj ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Unë mbështes plotësisht ecjen përpara të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur. Jam vërtet ë vendosur ta realizoj, që të kemi Konferencën tonë të parë Ndërqeveritare, në mënyrë që të fillojmë bisedimet e pranimit para fundit të vitit. Ky është qëllimi”, tha Presidentja e Komisionit europian.

Kryeministri Edi Rama nuk shfaqi ndonjë entuziazëm të veçantë, duke qenë se procesi i integrimit ka patur ngecje të shumta rrugës, për shkak të qëndrimeve të disa prej vendeve anëtare. “Unë e kam thënë dhe më parë dhe e përsëris, nuk vë më bast për asnjë datë e asnjë afat e pres me qetësi të plotë si rastin kur ndodh, si kur nuk ndodh. Jemi bërë gati disa herë për dasëm, e krushqit nuk janë paraqitur. Hapen nuk hapen, mbyllen nuk mbyllen, konferenca e kapitujt, kjo është një cështje e Këshillit, madje një anëtari të familjes europiane që gdhihet me inat me një vend, e merr peng dhe një të tretë. Shqipëria e ka bërë detyrën në raport me BE-në. Në raport me të ardhmen kemi shumë gjëra për të bërë, e duhet të ecim përpara”, u shpreh kryeministri.

Vizita e sotme e presidentes Von der Leyen, është ndalesa e parë e një turi që ajo po ndërmerr në të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, i cili i paraprin takimit të nivelit të lartë BE- Ballkani Perëndimor, i cili parashikohet të mbahet në 6 tetor në Slloveni.

Pasdite, Presidentja Von der Leyen udhëtoi për në Shkup, ku do të takojë kryeministrin Zoran Zaev, si dhe presidentin Stevo Pendarovski, për të vijuar me një vizitë në një qendër kulturore rinore, së bashku me kryeministrin Zaev.

Të mërkurën në mëngjes, Presidentja Von der Leyen do të jetë në Prishtinë, ku do të bisedojë me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Ajo gjithashtu do të vizitojë, së bashku me Kryeministrin, Kopshtin “Cicërimat”, i cili u ndërtua me fondet e BE -së. Presidentja më pas do të udhëtojë për në Podgoricë, ku do të pritet nga Presidenti Milo Gjukanoviç dhe Kryeministri Zdravko Krivokapiç. Gjatë qëndrimit të saj, ajo do të vizitojë Institutin e Shëndetit Publik i cili mori mbështetjen e BE -së në luftën kundër pandemisë, i shoqëruar nga Kryeministri.

Po të mërkurën në mbrëmje, Presidentja e Komisionit europian, do të jetë në Beograd, ku do të takohet me Presidentin Aleksandar Vuçiç, ndërsa të nesërmen në mëngjes do të bisedojë me kryeministren Ana Brnabiç. Me presidentin Vuçiç, zonja Von der Leyen do të marrë pjesë më pas në ceremoninë e nisjes së një projekti hekurudhor, pjesë e Korridorit X, si dhe do të jetë e pranishme në nënshkrimin e një kontrate për rehabilitimin e një pjese të Autostradës së Paqes, e cila mbështet nga BE-ja.

Ndalesa e saj e fundit, të enjten në mbrëmje, dotë jetë Bosnja dhe Hercegovina. Presidentja e Komisionit do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Urës Svilaj që lidh Kroacinë dhe Bosnjë -Hercegovinën, së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković dhe Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija. Në Sarajevë, ajo gjithashtu do të ketë takime me anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës./VOA/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit