Presidenti duhet të zgjidhet nga populli e jo nga parlamenti

Nga Daniel Muçaku, kryeredaktor i KOHA JONE

daniel mucaku

Daniel Mucaku

 

Presidenti i Republikës sot zgjidhet nga parlamenti.

Pra, jo nga populli!

Presidenti votohet me shumicë të thjeshtë votash ose e thënë ndryshe me 71 deputetë nga partia fituese që ka marrë shumicën e parlamentit, nga partia që ka marrë qeverinë dhe që ka shumë institucione nën kontroll.

Para disa viteve ose para pazarit të Edi Rama me Sali Berishën, Presidenti Republikës zgjidhej nga 84 deputetë ose në të kundërt parlamenti shpërndahej dhe shkohej në zgjedhje të reja të parakohshme.

Por kjo formulë u prish nga Berisha-Rama.

Sot kemi një president që do shumica.

Shumica e zgjedh dhe shumica e shkarkon.

Si ti teket mazhorancës!

Kemi President pa kompetenca thelbësore në një shtet demokratik.

Po si duhet në kushtet e Shqipërisë, kur shteti akoma nuk mund të quhet demokratik dhe me institucione të pavarura kushtetuese krejt të cunguara. Më saktë në një shtet ku gjithçka e kontrollon kryeministri.

Presidenti duhet të zgjidhet nga populli.

Një president i zgjedhur nga populli kërkon edhe kompetenca serioze për të shmangur krizat politike si dhe ka një autoritet kushtetues më të fortë se sa ka sot.

Presidenti nga populli, pa konkuruar kryeministrin që fiton shumicën e parlamentit, mbetet një autoritet popullor dhe kombëtar serioz dhe ai ndërhyn me një autoritet të fuqishëm kur duhet AUTORITETI i tij.

Ndërsa sot mazhoranca zgjedh kë të dojë si President; me pazar apo pa pazar, Presidenti mbetet një vegël e parlamentit, sepse kur kthen ligje apo bën deklarata nuk do ti pëlqejnë parlamentit dhe qeverisë.

Ndërsa kur është zgjedhur nga populli ai ka fuqi të pavarur kushtetuese sa dritheron edhe kryeministrin kur ai shkel ligjet apo bëhet autoritar.

Një president nga populli i duhet Shqipërisë, pasi nga eksperienca e këtyre vitëve kemi parë se si mazhoranca dhe kryeministri nuk pyesin për Presidentin me idenë  se ”këtë e kemi zgjedhur ne!”.

Me një president nga populli edhe disa institucione kushtetuese apo që kanë stabilitetin dhe rendin në dorë, si Drejtori përgjithshëm i policisë së shtetit, drejtori i sherbimit sekret shtetëror, shefi shtabit të përgjitshëm apo ndonjë tjetër mbeten nomenklaturë e Presidentit.

Ndërsa qeveria ka plot punë e  kompetenca të tjera.

Por jo si sot, kur kryeministri ka gjithçka në dorë.

Ndaj në të mirë të stabilitetit, garancisë kushtetuese dhe marrëdhënieve ndërkombëtare duhet që presidenti të zgjidhet nga populli.

Nëse e duan prapë si pjesë e pazareve mazhorancë me opozitë le ta zgjedhin siç e kanë bërë që prej vitit 2009!

Njerëzit e duan presidentin nga populli edhe si një garanci që qeveria nuk lajthit, kjo do ishte zgjidhje demokratike.

Pra president që merr votë popullore e jo deputetësh!

Por kjo gjë, nëse bëhet kërkon reformim të krejt sistemit politik dhe kushtetues.

Duhet bërë në emër të së ardhmes së vendit.

SHKARKO APP