Presidenti thirrje qeverisë: Shpallni gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e përmbytura në Shkodër!

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar nga qeveria shpalljen urgjente të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e përmbytura në Shkodër. Në një reagim publik, kreu i shtetit shprehet se  sipërfaqja e tokës nën ujë nga 1540 hektar është rritur në rreth 4000 ha dhe situata pritet të përkeqësohet në ditët në vijim.

Reagimi i plotë i Presidentit të Republikës, Ilir Meta:

“Situata e përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve intensive dhe shkrirjes së dëborës në basenet e lumnjëve Drin dhe Buna, po shkon drejt ekstremeve të paparashikuara.

Liqeni i Shkodrës, që ka shkuar në kuota maksimale ka përmbytur tashmë lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, ku niveli i ujit raportohet të jetë 40-50 cm. Në pak ditë, sipërfaqja e tokës nën ujë nga 1540 hektar është rritur në rreth 4000 ha dhe sipas paralajmërimeve të sotme të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit  pritet zgjerim i zonave të përmbytura, veçanërisht në NënShkodër dhe afër Liqenit të Shkodrës.

Alarmi i dhënë dhe situata në terren është shumë serioze dhe kërkon vëmendjen e veçantë të Qeverisë dhe pushtetit vendor, që pa vonesa të mëtejshme duhet të marrin të gjitha masat efektive për evakuimin e familjeve të rrezikuara nga uji, si dhe të bagëtive, që priten të izolohen.

Sot bisedova edhe me Kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, znj.Voltana Ademi, e cila më informoi në detaje për gjendjen e rënduar dhe shqetësimin e drejtë të saj për përkeqësimin e mundshëm të situatës, që kërkon një ndërhyrje të menjëhershme nga ana e autoriteteve shtetërore përgjegjëse.

Duke i garantuar të gjithë mbështetjen institucionale, kërkova prej saj, që Bashkia e Shkodrës të jetë në lartësinë e përmbushjes me përgjegjshmëri të detyrave në këtë situatë tepër të rënduar dhe të ketë në fokus kryesor shëndetin dhe jetën e banorëve. Duke vlerësuar me përgjegjësi maksimale gjendjen e raportuar i bëj thirrje Qeverisë të shpallë urgjentisht “Gjendjen e Fatkeqësisë  Natyrore” në zonat e përmbytura, me qëllim menaxhimin më të mirë të situatës operacionale, për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë dhe për të patur prioritet absolut mbrojtjen e jetës së çdo qytetari dhe minimizimin e pasojave në pronat dhe pasuritë e tyre.

Përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të vlerësuar me shumë përgjegjësi paralajmërimet e IGJEUM dhe për të mos i lënë në mëshirë të fatit banorët e Shkodrës, të cilët meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe të kenë të gjithë vëmendjen dhe ndihmën e shtetit, veçanërisht në këtë periudhë tepër të vështirë, të rënduar edhe për shkak të pandemisë COVID-19”.

SHKARKO APP