Prokuroria e Tiranës kërkon pushimin e çështjes: Lear Kurti vdiq nga mbidoza e drogës

Prokuroria e Tiranës ka vendosur pushimin e çështjes për vdekjen e 32 vjeçarit Lear Kurtit, i riu i cili humbi jetën në rrethana të paqarta teksa po shoqërohej nga Policia, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë.

Prokuroria ka dalë në konkluzionet se ka qenë mbidoza nga lënda narkotike shkaku i vdekjes së Lear Kurtit dhe nuk ka gjetur shkelje në efektivët e Policisë që e shoqëruan në komisariat.

Kërkesa e prokurorisë për mbylljen e dosjes hetimore, së bashku me rezultatet e hetimit është dorëzuar në gjykatë. Tashmë do të jetë Gjykata ajo që do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e Prokurorisë, bërë nga prokurori Albert Demirneli.

“Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike:

Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent.

Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)” – thuhet në aktin e ekspertimit.

Ngjarja ndodhi në 22 tetor të vitit të kaluar, ku 32-vjeçari humbi jetën pasi u shoqërua nga policia në komisariatin nr.3 në kryeqytet. Sipas uniformave blu, të riut i ishte bërë thirrje të ndalonte për kontroll të dokumenteve, por Kurti i ishte larguar policisë vetëm për t’u kapur më pas në rrugën “Don Bosko”.

Gjatë shoqërimit në komisariat gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar papritur dhe është dërguar për në spital me makinën e policisë.

Këta të fundit thanë se 32-vjeçari ndërroi jetë në tek Trauma, deklaratë që më vonë u përgënjeshtrua nga vetë spitali, që tha se i riu kishte mbërritur aty pa shenja jete. Nga ana tjetër familja ka ngritur akuza se 32-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës së ushtruar nga efektivët e policisë, pasi në trup dhe në kokë ai kishte shenja dhunimi.

Dyshohet se i riu mund të ketë ngëlltitur një qese me kokainë gjatë ndjekjes nga Policia.

Kush ishte Lear Kurti?

I braktisur që në lindje në shtëpinë e fëmijës, 2-vjeçari do të merrej nga Artur Isai dhe bashkëshortja e tij për t’i dhënë një familje deri mbrëmjen e djeshme që humbi jetën tragjikisht. Edhe pse i rritur në një nga zonat problematike të ish-parkut të autobusëve, Lari, siç e thërrisnin shokët e tij, nuk ishte djalë i përfshirë në ngjarje kriminale.

SHKARKO APP