Ditën e sotme, Tirana mikpret Ministerialin euro-ballkanik të Ministrave të Ekonomisë.
Ky ministerial zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e mbi 20 delegacioneve të nivelit të lartë.
Fjalën e tij, kryeministri Edi Rama e nisi me integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Dje pata kënaqësinë të bëja një bisedë mjaft shteruese me mikun tonë nga qeveria e Francës dhe më duhet të them se ishte një bisedë që 5 vite më parë do ishte e pamundur të zhvillohej. Gjërat kanë ndryshuar dhe në shohim me mjaft interes se në BE ka një bindje shumë më të fortë dhe janë më syhapur për rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor për BE.
Sot BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në. Jemi këtu me ministra dhe zyrtarë të shquar nga vendet e BP dhe nga BE për të diskutuar rreth temave më thelbësore të këtij procesi që përfshin forcimin e ekonomive tona duke përfshirë lidhjen me sferën ekonomike të BE-së.
Samiti do duhet të diskutojë për diçka krejt të re që 5 vjet më parë ishte e papërfytyrueshme, planin e ardhshëm të BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor duke u hapur në disa mënyra që do të na sjellin më pranë BE-së, ndërkohë që sa i përket procesit të integrimit në bazë meritash çdo vend duhet të bëjë detyrat e veta. Integrimi me faza në tregun e përbashkët premton të na japë një ide të vyer, të paçmuar për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor në 10 vitet në vijim. Është koha për të ecur së bashku përpara dhe për t’u siguruar që nga fjalët premtuese të kemi vepra premtuese.
Mund të kemi çështje ende të pambyllura në këtë rajon, por përmes këtij procesi kemi mësuar se e vetmja mënyrë për t’u marrë vesh është të biem sa më shumë dakord për gjërat që mund të bëjmë së bashku.
Gjithmonë e më tepër kemi parë se sa e rëndësishme është të trajtohen çështjet tona. Sa më e mirë atmosfera e bashkëpunimit, sa më të forta urat mes vendeve tona, aq më e mirë hapësira për të trajtuar çështjet dhe më të vështira”, u shpreh Rama.