Kryeministri Edi Rama ka vënë në pikëpyetje kandidimin në listën e sigurt për deputetë të tre prej ministrave që i ka vlerësuar si më të mirët gjatë viteve të qeverisjes. I pyetur nga gazetarët për angazhimin e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe ish-ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, kryeministri tha se janë si gjithë të tjerët dhe do të kalojnë në fazat e seleksionimit.
“Nuk është asnjëri i ndryshëm nga tjetri, të gjithë janë në trupën prej ku do të bëhet dhe seleksionimi. Drejtuesit e qarqeve kanë përgjegjësinë të bëjnë të gjitha draftet dhe të propozojnë skuadrën e çdo qarku. Pastaj këtë gjë do ta miratojë si gjithmonë Kryesia e PS”,- tha Edi Rama gjatë konferencës për mediat. Kjo do të thotë se fati politik i Fatmir Xhafaj për kandidimin në zgjedhje, një nga senatorët e PS dhe ministri që dikur Edi Rama e çmonte jashtëzakonisht për rolin e tij në reformën në drejtësi do të vlerësohet politikisht nga drejtuesit e qarkut të Tiranës, Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati.
Ndërsa Ditmir Bushati, një nga ministrat që Edi Rama e referonte si sukses për diplomacinë, deri në momentin që i doli kundër për idenë e ndarjes së Kosovës, do të vlerësohet politikisht nëse vlen si kandidat nga drejtuesi i qarkut të Korçës, Ilir Beqaj. Dihet që për Ilir Beqajn, Bushati nuk duhet të jetë fare pjesë e Partisë Socialiste.
Po ashtu, Sandër Lleshaj, për shumë vite këshilltar i Edi Rama dhe ministri që mbrojti me gaz helmues dhe formacione ushtarake në polici zyrën e Edi Ramës gjatë protestave, do të vlerësohet nëse vlen për deputet nga Lindita Nikolla në Lezhë.
Pavarësisht se Kryesia e PS mund të vendosë që të vlerësojë ish-ministrat duke i mbajtur në qarqet kryesore për deputetë, vënia në pikëpyetje e emrave të tyre nga Edi Rama është një mesazh që shqetëson anëtarësinë e PS. Bushati dhe Xhafaj janë ndër socialistët e vetëm që nuk kanë lidhje me rilindjen. Diskutimi i kandidimit ose jo të tyre hap një debat lidhur me trashëgiminë e PS dhe shkëputjen e saj nga emrat e së majtës.
Debati për kandidimet në PS bëhet dhe më i ashpër nisur nga hapja që Edi Rama i ka bërë PS për deputetët e opozitës që nuk dogjën mandatin. Dje Edi Rama dha sinjalin se të paktën 4 emra të deputetëve që morën mandatet në këmbim të pazareve dhe interesave do të jenë në listat e Partisë Socialiste.
Konkretisht Ylli Shehu, Ediola Braho, Ermond Rrushaj dhe Reme Lala janë katër deputetët e së ashtuquajturës opozitë parlamentare që do të jenë në renditje të sigurt në listat e PS për zgjedhjet e 25 prillit.
Deputetët e njohur si opozita e Pazarit të Milotit, mesa duket, do të zëvendësojnë emrat e njohur të PS dhe njerëz që kanë drejtuar qeverinë këto tetë vite me Edi Ramën.
Discussion about this post