RUDOLF MARKU: KUJTESA POETIKE PËR NJE MIK

Nga Rudolf Marku-
Janë bëre njëmbedhjetë vite që kur poeti Ndoc Gjetja ndërroi jetë. Më kujtohet se si, herët në mengjezin e ditës që miku ynë kishte ndrruar jetë, Preç Zogaj më dërgoi një tekst të shkurt: Kam një lajm të hidhur për ty. Ndoci na la!
Ndoc Gjetja ka qënë dhe mbetet një poet që shquhet për ngrohtësinë e fjalës së sinqertë, për natyrshmërinë dhe shpirtësinë poetike dhe për zhdukjen e barrierirës mes fjalës së shkruar dhe fjalës së folur. Jo të gjithë poetët arrijnë ta bëjnë këtë! Ndoci shkruante në atë mënyrë si fliste dhe si mendonte në jetën e përditshme, dhe fliste dhe mendonte ashtu siç shkruante. Ai ishte krijuesi që jetonte çdo minut të jetës së vet, me poezinë. Herën e fundit që e takova, pas 15 vitesh ndarjesh, më pyeti me një ankth të dukshëm nëse Walt Whitman, poeti që ai e donte më shumë nga çdo poet tjetër në këtë botë, vlerësohet prapë në Angli! Pyetjet ma bëri në shtëpinë e tij, buzë Drinit, tek pinim një kafe turke. U qetësua kur i dhashë sigurinë e pa-autorizuar nga askush se Walt Whitman mbetet prapë një poet tepër i vlerësuar jo vetëm në Angli, por dhe në SHBA!
Një monografi të shkëlqyer për jetën dhe figurën e Ndocit poet dhe njeri ka shkruar romancjeri dhe tregimtari i njohur Kujtim Dashi, njeriu që i pat qëndruar më pranë Ndocit, pasi ai u pat kthyer në qytetin e lindjes. Është një monografi për t’u admiruar per nga ndershmeria! Librat e Kujtim Dashit kushtuar Ndoc Gjetjes janë një tregues zemër ngrohës i popullaritetit të poetit. Por dhe një udhë- rrëfyes për atë që do të njoh nga afër jetën e Poetit. Duket si një libër që ka patur parandjenjën për t’i shërbyer së vertëtes në vitet e më vonshme, kur ca njerëz sharlatanë e të pavlerë përpiqen të na tregojnë ne, miqve të Ndocit, me ca mllefe katundesh, se si miqt e vet e kanë braktisur poetin… Kam lexuar në këto shkrime për varfërinë e Ndocit. Për vetminë e tij. Dhe sidomos për braktisjen e tij. Dhe për fatkkeqësinë e tij. As varfëria dhe as pasuria nuk janë element determinues në krijimtarinë e Poetit. Ndoc Gjetja mbetet një krijues që kishte një dinjitet të madh. Kurr nuk fliste për varfërinë e vet. Sepse varfëria e tij ishte një pjesë e varfërisë që e ndanim të gjithë ne në mënyrën më të barabartë. Dhe nuk qe kurr i vetmuar. Si mund të jetë një Poet i vetmuar, kur ai shoqërohet çdo ditë nga Muza poetike e vet? Dhe kurr i braktisur. Madje mund të them se ishte më tepër nga ç’duhej i rrethuar nga njerëz të gabuar, banalë dhe intelektualisht provincial. Ata që e duan me të vertetë Ndoc Gjetjen duhet të lexojnë poezitë e tij. Dhe të shkruajnë për poezinë e tij. Jo në mënyrë banale anakdotike. Por për vlerat e poezis së tij. Dhe ata që duan të ankohen për braktisjen e Ndoc Gjetjes nga shokët sa qe gjallë poeti, thjesht ngase nuk mund te mos shajnë e shpifin, duhet t’u kishte shkuar ndërmend të ankoheshin e të shanin se dhe Pallati i Kulturës së qytetit të vogël të Lezhës nuk mban as pas vdekjes se tij emërin e Ndoc Gjetjes dhe as atë të Gjergj Fishtës. Dhe as ndonjë Shkollë e Lezhës. Madje as dhe ndonjë rrugë në njëren nga qoshet e qytetit ku ai jetoi dhe ndërroi jetë! Në një kohë që emërat e kolegëve të vet më me pak talent dhe merita estetike nga ai i mbajnë rrugët dhe bulevardet jo të Lezhes, por të vetë Kryeqytetit shqiptar.
Më poshtë po postoj një Poezi për Ndoc Gjetjen- . Poezia ime është shkruar dhe botuar me 27 Maj të vitit 1972, në gazeten ‘Zëri i Rinisë ,,- kur sapo kishim filluar të botonim në shtypin shqiptar si Ndoci, dhe unë.
Preç Zogaj, nga ana tjetër, vite më vonë, ka shkruar dhe botuar 2 poezi te mrekullueshme kushtuar mikut tonë , Ndoc Gjetjes. Poezi Antologjike, një rrëfyes se si mund të kujtohet një mik Poet nga një krijues tjetër.
Po e sjell këtë poezi timen të vitit të largët 1972 në vëmendjen e lexuesve, për të kujtuar dhe një herë si mund të shkruhet dhe kujtohet, me dinjitetin e fjalës së kulturuar, një mik Poet si Ndoc Gjetja- dhe jo me pëshpëritje klubesh dhe kafesh të provincave baltonore të Ballkanit. Qofshin ato në Lezhë , Detroit a në lagjet periferike te Kabulit.
N.GJ.
Kaloj përditë pranë heshtjes së tij.
Të tjerët bëjnë zhurmë ,
Të tjerët thonë se heshtja kurr s’të sjell lavdi.
Brenda mureve të heshtjes dita dhe nata shkrihen në një ,
Ja ku shfaqet i krrusur mbi letrën e bardhë ,
Të tjerëve nga vetja u jep çdo gjë .
Në dhomën e tij gjithë ngjyrat e ëndrrave kanë stinët dhe fjalët
Dita zgjatet gjithmonë der’ në kufirin më të largët,
Të tjerët mburren se e kanë parë diellin në ëndërr gjatë natës.
Në një kohë tjetër, që e quajmë -dikur
Do përulen përpara tavolinës së tij
Ata që bënë zhurmë dhe nuk ëndërruan kurr!

SHKARKO APP