Shfaqja e parë në kinemanë “Maks Velo” në Laprakë, Veliaj: Do të gjallërojë jetën në këtë zonë

Kinemaja “Maks Velo” i është rikthyer qytetarëve të Laprakës si një hapësirë e re që pulson art dhe kulturë për komunitetin e zonës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se investimet në art e kulturë do të shtrihen më tej dhe do të mbushin me jetë edhe zonat periferike të kryeqytetit. Sipas kryebashkiakut, këto investime shërbejnë edhe për rritjen e vlerës së pronës për qytetarët.

“Pritshmëria ime është që këtu të kemi një garë të shëndetshme me kinema “Agimin” dhe të përpilojmë një listë me aktivitete. Qendra e një qyteti është atje ku ka jetë. Po ka jetë këtu, atëherë kjo është qendra e Tiranës dhe nëse do e mbushim me jetë kinemanë, jam i bindur se aktivitetet e sheshit “Skënderbej” do të duken periferike, krahasuar me cilësinë e produkteve që mund të shohim e shijojmë këtu. Ingrid Bergman thoshte se kinemaja ka aftësinë të futet në skutat, dhomat dhe cepat më të paimagjinueshme të shpirtit të njeriut. Shpresoj shumë që kjo ‘armë’ magjike, në vendin tonë – që duhet ta pranojmë, ka shumë toksinë, helm, thashetheme e shumë harxhime kohe – të na bëjë të vlerësojmë të bukurën dhe të fokusohemi te energjia e një pune të mirë”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Sipas tij, investimet në art e kulturë e kanë bërë Tiranën Kryeqytetin Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut për vitin që vjen. Ai tha se ky titull do të shërbejë si një shtysë që, edhe hapësira të tjera të rikuperohen dhe të kthehen në asete për lagjet e komunitetet e kryeqytetit.

SHKARKO APP