Home Aktualitet Sot mbush 81 ...

Sot mbush 81 vjeç, Veliaj nderon me “Medaljen e Mirënjohjes” aktorin e madh, Viktor Zhusti

273
0

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nderuar me “Medaljen e Mirënjohjes” së qytetit aktorin e madh shqiptar, Viktor Zhusti, i cili sot mbush 81 vjeç. Kryebashkiaku e falenderoi aktorin Zhusti për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në skenën e teatrit dhe filmit shqiptar.

“Ky është një moment për të shprehur mirënjohjen, respektin, falenderimin për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm. Na keni emocionuar, kemi qeshur, kemi qarë, jeni i paharrueshëm për shqiptarët. Në emër të gjithë djemve e vajzave të këtij qyteti, burrave e grave, doja t’ju falënderoj që jeni pjesë jo vetëm e memories sonë të përbashkët, por edhe përditshmërisë sonë, në një teatër modest, siç është Teatri i Metropolit, për të cilin mezi pres që të bëjmë më shumë investime. Pas Teatrit Kombëtar, të kemi edhe Teatrin e qytetit. Kjo medalje është në emër të qytetit të Tiranës, në shenjë mirënjohje për punën tuaj. Është një gjest respekti dhe falenderimi me gjithë zemër”, tha Veliaj.

Aktori i madh, Viktor Zhusti, falenderoi kryetarin e Bashkisë për medaljen dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij.

“Ju falenderoj nga zemra juve, veçanërisht Teatrin Metropol, i cili ka qenë ndoshta streha më e ngrohtë për artistët vitet e fundit, si dhe gjithë spektatorët e jashtëzakonshëm të Tiranës, të cilët më kanë rrethuar me dashuri dhe besoj se më kanë dhënë shumë më tepër nga sa u kam dhënë unë. Prandaj, mbetem gjithmonë borxhli ndaj jush, ndaj Teatrit Metropol, dhe ndaj gjithë njerëzve. Shumë faleminderit!”, tha ai.

Viktor Zhusti ka lindur më 8 dhjetor të vitit 1942 në Athinë, Greqi. Galeria e roleve të Viktor Zhustit është shumë e pasur me shfaqje teatrale dhe filma.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit