Botërori 2026/ Silvinjo: Është një grup i fortë, por i bukur, të luftojmë deri në fund

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka folur për fshf.org pas shortit të hedhur në Zvicër për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026.

Shqipëria u pozicionua në Grupin K, së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën. Tekniku kuqezi u shpreh se niveli i vështirësisë është i lartë, por theksoi se synimi kryesor është që skuadra të luftojë deri në fund për të bërë më të mirën.

“Fillimisht, e kam thënë më shumë se një herë, ambiente të tilla janë diçka e bukur. Nga vazoja e tretë ishte e parashikuar, dy skuadra shumë të forta, më pas ne në vazon e tretë dhe dy ekipe nga vazoja e katërt dhe e pestë. Është një grup i fortë dhe i vështirë. Sot futbolli nuk është i lehtë. Të gjitha skuadrat e njohin mirë njëra-tjetrën. Me teknologjinë, mund të shikosh gjithçka. Është një grup për t’u luajtur, për t’u luftuar dhe për të shkuar deri në fund, sepse është i bukur. Të ëndërrosh se mund të shkosh në Botëror të jep shumë energji.

Gjithçka është shumë e shpejtë, nuk ka shumë kohë. Sa më pak të gabosh, aq më shumë shanse ke për të ecur përpara. Nga sot fillojmë nga zero. Të gjitha skuadrat mendojnë të shkojnë përpara, kjo është një ëndërr për shumë ekipe. Ne ëndërrojmë, por duhet të gabojmë sa më pak nëse duam të ecim përpara.

Mendimi i parë është ky, nëse gabon pak, ka mundësi të ecësh përpara, të arrish atje dhe pastaj, në tetor-nëntor, të kesh një mundësi për të shkuar në Botëror. Është një grup i vështirë, si shumë të tjerë, por duhet të luftojmë dhe të gabojmë sa më pak të jetë e mundur”, – tha trajneri Silvinjo.

SHKARKO APP