Jo TikTok, por Tinder dhe Grindr! Aplikacionet për të rritur që janë në duart e minorenëve!

Nga Martinjo Myrtollari

Në një kohë kur Shqipëria mori masa për të ndaluar TikTok-un, si një përpjekje për të mbrojtur të miturit nga ndikimet negative virtuale, dy “fantazma moderne” i kanë shpëtuar çdo forme kontrolli: Tinder dhe Grindr. Dy aplikacione që, nën petkun e njohjeve romantike, janë kthyer në porta të hapura drejt abuzimit, manipulimit dhe rrezikut real për të miturit shqiptarë.

Tinder është një emër tashmë i njohur. Një “lojë” ku rrëshqet djathtas për të thënë “më pëlqen”, dhe majtas për të refuzuar profile të ndryshme njerëzish. Në Shqipëri, ky aplikacion përdoret kryesisht nga të rinjtë nga 20 deri në 28 vjeç, në kërkim të njohjeve të spontane, pa shumë angazhim emocional. Ndërsa Grindr është një hapësirë specifike për meshkujt të komunitetit LGBT+, më e ngushtë në target-grup, por shumë më e hapur në përmbajtje, madje dhe më e pakontrolluar.

Në të dyja, çdo minoren mund të hyjë duke thjesht “gënjyer për moshën”. Tinder përpiqet të vendosë filtra, por Grindr? Jo, nuk ka asnjë mekanizëm real për të parandaluar regjistrimin e një të mituri. Madje këto dy “botë” nuk lënë gjurmë në telefonin që janë shkarkuar duke e bërë më të vështirë për një prind që të kuptoj nëse fëmija i tij posedon këto aplikacione. Nuk bëhet fjalë për flirtime të pafajshme. Në shumë raste, një 15-vjeçar mund të bjerë në kontakt me një 35-vjeçar që fsheh qëllime abuzive, manipulative apo seksualisht të rrezikshme. Ka përdorues që kërkojnë foto intime, që dërgojnë materiale eksplicite pa u ndalur, që kërkojnë takime fizike edhe kur janë të vetëdijshëm për moshën reale të fëmijës përballë.

Në Grindr, përmbajtja eksplicite është pothuajse e normalizuar dhe chat-et janë të pakontrolluara. Nuk ekziston një filtër që ndalon dërgimin e fotove nudo apo kërkesave ekstreme. Është një realitet i errët ku të miturit futen shpesh në mënyrë naive, të ndikuar nga “trendi” global apo nga kurioziteti i moshës.

Janë dokumentuar raste në vende të ndryshme të botës, ku Grindr është përdorur për shfrytëzim seksual të të miturve.  Fëmijët janë një pre e lehtë e “pedofilëve virtualë” në këto aplikacione. Janë pikërisht ata që, nën maskën e një profili të zakonshëm, kërkojnë video, foto apo takime, madje ndonjëherë përdorin dhunë psikologjike, kërcënime, shantazh emocional dhe e gjithë kjo për të pasur qasje tek fëmija që e percepton bisedën si “lojë”.

TikTok u bë objekt sulmesh publike, pasi shpesh u etiketua si “rrezik për zhvillimin mendor të fëmijëve”. Por ndërsa TikTok është një platformë e hapur për sy publikë, Tinder dhe Grindr qëndrojnë në hije. Shumë prindër shqiptarë nuk i njohin këto aplikacione, nuk e dinë se çfarë janë, dhe as nuk e kuptojnë përmbajtjen dhe kjo është një “verberi digjitale” që po i kushton minorenëve një çmim të lartë.

Në një shoqëri ku fëmijët rriten me telefon në dorë dhe prindërit mbeten me “telefonin fikur”, është e lehtë të humbasësh kontrollin, kur mendon se fëmija yt është në dhomë duke folur me shokun, ndërkohë që po manipulohet nga një i rritur i panjohur në rrjet.

Këto aplikacione nuk janë vetëm “faji i teknologjisë”, por pasojë e mungesës së ndërgjegjësimit, dhe të vetmet zgjidhje mbeten mbyllja e aplikacioneve dhe edukimi, pasi është koha që prindërit të kuptojnë se “fëmija në internet” nuk është më i sigurt sesa “fëmija në rrugë”.

Fëmijëria nuk duhet të rrëmbehet nga një ekran dhe asnjë aplikacion nuk duhet të ketë fuqinë të prekë pafajësinë e një minoreni kurioz apo jo!

 

SHKARKO APP