Blendi Klosi: 3.5 milionë euro investim për zhvillimin e zonës së Prespës

Banka Gjermane për Zhvillimin (KfW), si një partnere e qëndrueshme në zonat e mbrojtura ka ofruar 3.5 milionë euro për zhvillimin e zonës së Prespës.

Kështu deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë takimit “100 fshatrat” të zhvilluar në Pustec, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

“Ky projekt që do të shtrihet në tre vite për t’i mundësuar kësaj zone një sërë investimesh, të cilat të gjitha së bashku përmblidhen në dy komponentë shumë të rëndësishme, që në fund të fundit përbëjnë edhe thelbin e mënyrës sesi ne duam të zhvillojmë zonat e mbrojtura, ruajtjen e natyrës, habitateve të kësaj zone dhe përmirësimin e jetës së banorëve me investime si trajtimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbetjeve urbane, ndriçim, përmirësim i rrjetit të ujësjellësit, mbështetje të nismave turistike dhe padyshim kryefjalën e zhvillimit tonë të ofertës së re turistike: agroturizmin”, – nënvizoi Klosi.

Përmes këtyre komponentëve, shtoi Klosi, arrijmë të ndërtojmë një model të zhvillimit të kësaj zone, si zonë turistike, që shkon drejtpërsëdrejti në një nga komponentët më të rëndësishme për të arritur sfidën tonë të madhe të realizimit të 10 mln turistëve të huaj në vitet e para të dekadës tjetër.

“Liqeni i Prespës e ofron këtë mundësi, një liqen që laget nga tre shtete të cilat së bashku mund të krijojnë një destinacion të përkryer për të pasur mundësinë që jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e Ballkanit nëpërmjet turizmit të kenë një zonë më të zhvilluar dhe ekonomi më të madhe. Është koha që natyrën ta përkthejmë në vlera ekonomike”, – tha Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “në vitin 2016 kanë ardhur në zonat tona të mbrojtura sa gjysma e turistëve të vitit 2017, ndërsa vetëm në 8 muajt e parë të vitit 2018 është kaluar i gjithë numri i turistëve të 2017, prapë progresi i turistëve që vizitojnë zonat tona të mbrojtura dëshmon edhe një herë se sa shumë kemi nevojë për të kuptuar filozofinë e re, kthimin e turistëve, kthimin e biznesit të turizmit tek natyra, bukuria natyrore, vlerat natyrore, vlera e trashëgimisë kulturore dhe në fund të fundit, kthimin e njeriut tek njeriu”.

Sipas Klosit, turistët sot kërkojnë të vizitojnë vende si Prespa, ku gjejnë të gjitha të kombinuara, por në radhë të parë gjejnë mikpritjen e banorëve të zonës dhe buzëqeshjen e tradicionale të të gjithë shqiptarëve.

“Nga Veriu në Jug kemi 16% të vendit territore ‘zona të mbrojtura’, të cilat për ne nuk janë zona vetëm të bukura, por janë zona të cilat duhet t’i transformojmë me shpejtësi në ekonomi”, – tha Klosi.

Ministri u shpreh se “ne duhet t’i ofrojmë turizmit mundësi ku përfshihet turizmi rural, agroturizmi, bujtinat, produktet lokale krijimi i zhvillimit të llojeve të ndryshme të sporteve të natyrës nga ecja, pedalimi, ski, vëzhgimi i shpendëve dhe kafshëve, një biznes i ri falë edhe mbrojtjes shumë të mirë që i kemi bërë me të dy moratoriumet; me moratoriumin e pyjeve dhe gjuetisë, ngritja e shtigjeve turistike, përmirësimi i infrastrukturës për të aksesuar monumentet e natyrës, kulturës, parashutizmi, rafting, kajak, ujërat kurative etj.

SHKARKO APP