Bojkot mësimit, studentët “do ta presin” nesër te puna Lindita Nikollën që në orën 8

Studentët e Universitetit të Tiranës dhe Politeknikut do të vijojnë nesër protestën, e cila futet në ditën e tretë të saj. Ata do të vendosen para Ministrisë së Arsimit që në orën 8 të mëngjesit që është dhe orari zyrtar i nisjes së punës ku ata do të parashtrojnë sërish tre kërkesat e tyre ku kërkojnë: anulimin Vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore, përgjysmimin e tarifës, dhe përmirësimin e kushteve në konvikte. Protesta është shtrirë edhe në Elbasan, ku studentët kanë braktisur mësimin dhe kanë nisur protestën.

Ftesa për pjesëmarrje

Ftojmë të gjithë studentët e Universitetit të Tiranës dhe jo vetëm, të bashkohen nesër dhe përgjatë të gjitha ditëve në vijim deri në tërheqjen e Ministrisë së Arsimit nga vendimi për pagesën për çdo kredit nga provimet e mbartura.

Studentët nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa shfuqizimin e VKM-së nr. 288, që parashikon pagesën e tarifës prej 670 lekësh për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse.

Prandaj nesër bashkohuni në organizimet përkatëse në çdo Fakultet dhe takohemi së bashku në orën 10:00 përpara zyrave të MASH, në rrugën e Durrësit.

Protesta e sotme

Studentët shqiptarë kanë dalë sot në ditën e dytë të tyre në protestë kundër rritjes së tarifave shtetërore për studentët. Nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, atëherë studentët kanë bërë thirrje për revolucion studentor.  “Revolucion studentor. Revolucion studentor, revolucion studentor, ne nuk jemi bankomat, nuk tërhiqemi”- ishin thirrjet që dëgjoheshin në mesin e rrugës së Durrësit në Tiranë, m’u poshtë zyrës së ministres së Arsimit Lindita Nikolla.

“Jo negociata me ministren arrogante dhe injorante”, janë dëgjuar të thërrasin studentët të cilët kundërshtojnë tarifat e provimeve.

SHKARKO APP