‘Fshesë me korent’ në Hipoteka, hiqen drejtorët, shoferët dhe pastrueset

Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në të gjithë vendin janë përfshirë në të furtunë shkarkimesh masive, ndërsa drejtuesit e Zyrave të Regjistrimit jo pak herë kanë qenë të shënjestruara nga kryeministri për shërbim të dobët ndaj qytetarëve. Furtuna e paralajmëruar nuk ka prekur vetëm drejtuesit, por edhe regjistruesit. Së fundmi, është mësuar se regjistruesve në të gjithë vendin u është dhënë urdhër që të japin dorëheqje dhe kjo duhet të ndodhë deri më datën 25 të këtij muaji. Ata që largohen nuk janë vetëm të punësuarit, të etiketuar si të mbështetës të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Është mësuar se, nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë janë duke lënë vendin e punës që nga sanitarët, magazinierët, shoferët deri tek regjistruesit, njofton Shekulli.

Është mësuar se në radhët e regjistruesve ka pasur edhe kundërshtime për të dhënë dorëheqje. Një pjesë e regjistruesve tashmë e kanë dorëzuar dorëheqjen, ndërsa një pjesë e madhe ka vendosur të kundërshtojë urdhrin e dhënë nga Ministria e Drejtësisë. Të pabindurve u është dhënë afat deri më 25 tetor të paraqesin dorëheqjen. Në shumë drejtori është dhënë urdhër për shkarkime dhe synimi është që deri në fund të vitit nga administrata të jenë të larguar të gjitha ata që janë cilësuar si militantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim por edhe të Partisë Demokratike. Ndërkaq, me strukturimin e drejtorive Hipoteka, ALUIZNI dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave janë të bashkuara në një institucion të vetëm.

Qeveria ka dhënë argumentin se kjo është bërë me qëllim zgjidhjen e problemeve jo vetëm e legalizimit të ndërtimeve pa leje, por edhe çështjen e pronës në përgjithësi. Pak javë më parë drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu e la evazive faktin nëse punonjësit që kanë marrë njoftime për dorëheqje janë të shkarkuar përfundimisht apo e kanë një mundësi të dytë. “Ministritë e reja janë dekretuar tashmë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Për sa më sipër, bazuar në pikën 7, të nenit 50 të ligjit numër 152/2013 për “Nëpunësin Civil” i ndryshuar dhe në kreun II, të vendimit nr. 125 datë 17.02.2016 të Këshillit të Ministrave ju njoftojmë se ka filluar procesi i ristrukturimit të mbylljes/ministrisë suaj. Si rrjedhim ju jeni objekt i gjykimit për transferimin apo përfundimin e marrëdhënies suaj në shërbimin civil”, ka sqaruar drejtoresha e DAP.

Konkursi

Ministria e Drejtësisë në faqen online ka çelur konkursin e hapur për pozicionin “Regjistrues” në 26 drejtori në të gjithë vendin. Afati i fundit për aplikimin është lënë data 25 të këtij muaji. Ndërsa pak kohë më parë,drejtoresha e Hipotekave, Blerina Doracaj ka paralajmëruar kallëzime penale për punonjësit që do të gjendjen në shkelje. “Paralelisht me hapjen e konkursit për regjistruesit do të nisë edhe një proces verifikimi apo vettingu për të gjithë punonjësit e zyrave të regjistrimit nga i pari tek i fundit.

Për çdo rast që do të konstatohet shkelje ligji do të procedohet me kallëzime penale dhe për çdo rast të shkeljes administrative do të bëhet largimi nga puna i këtyre punonjësve”, ka thënë ajo. Sipas saj, situata në Hipoteka ka qenë dramatike.

Dikasteret e LSI

Tirana është qarku kryesor ku Lëvizja Socialiste për Integrim ka pasur numrin më të madh të drejtorive.  Institucionet që janë përmendur nga kryeministri dhe që aktualisht po preken nga largimet janë: Posta Shqiptare; KESH; Shëndeti Publik; Autoriteti Rrugor; Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OST); Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare. Në Shkodër, për shembull, institucionet ku do ketë largime janë: Drejtoria e Patentave; Drejtoria e Rrugëve; Drejtoria e Hipotekës; Posta Shqiptare; Drejtoria e OST; Reparti i Zjarrfikësve; Pyjet dhe Bordi i Kullimit; Dega e AKU; Drejtoria e Transportit Rrugor, etj.

SHKARKO APP