“Save the Children”: Gaza, 4500 fëmijë të vrarë. Çdo 10 minuta vritet një fëmijë nga sulmet izraelite

-Botuar në “Europa e Lirë”-

Prej se Izraeli ka nisur sulmet hakmarrëse kundër grupit militant të Hamasit në Rripin e Gazës më 7 tetor, numri i trupave të vegjël, të mbështjellë me qefinë të bardhë e të rrethuar nga britmat e të qarat e të afërmve, ka shkuar duke u rritur. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, janë më shumë se 4500 fëmijë të vrarë në pak më shumë se një muaj luftë.

Forca e Mbrojtjes e Izraelit thotë se ka në shënjestër militantët dhe infrastrukturën e Hamasit dhe akuzon grupin ekstremist për fshehjen e luftëtarëve dhe armëve në zonat e banuara.

Hamasi, i cili kontrollon Gazën, ka nxitur reagimin e ashpër të Izraelit, pasi i pari ka sulmuar territorin e tij, duke vrarë mbi 1.400 veta dhe duke marrë afro 240 pengje.

Në pesë javë sulme në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore atje, janë vrarë mbi 10000 njerëz – gati gjysma e tyre fëmijë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se Gaza po shndërrohet në vend-varrezë për fëmijët.

“Operacionet tokësore të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit dhe bombardimet e vazhdueshme po godasin civilë, spitale, kampe refugjatësh, xhami, kisha dhe objekte të OKB-së, përfshirë strehimore. Askush nuk është i sigurt”, ka thënë Guterres.

Reagimet e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve kanë një të përbashkët: thirrjen për armëpushim të menjëhershëm.

Jason Lee, drejtor për Territoret Palestineze i grupit Save the Children, ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës se fëmijët në Gazë po paguajnë një çmim të madh të konfliktit dhe se të gjitha palët duhet t’i përmbushin obligimet për mbrojtjen e tyre.

“Situata në Gazë është e rëndë dhe po përkeqësohet. Tani jemi në një kohë kur çdo 10 minuta vritet një fëmijë dhe çdo pesë minuta lëndohet një fëmijë. Dhe këto janë lëndime që ndryshojnë jetë”, ka thënë Lee.

Save the Children, me selinë qendrore në Londër, ka vlerësuar në një raport se vetëm në tri javët e para të luftës, numri i fëmijëve të vrarë në Gazë ka tejkaluar numrin total të të vrarëve në të gjitha zonat e konfliktit në botë, në çdo vit nga viti 2019 e këndej.

(marrë me shkurtime nga radio “Europa e Lirë)

SHKARKO APP