Gramoz Ruçi “braktisi” seancën, por me kë u takua kryeparlamentari?

Pasi opozita braktisi Kuvendin, seanca rinisi sërish e fjalën e mori kryeministri Edi Rama. por në vendin e kryeparlamentarit Ruçi ishte ulur zëvendësja e tij, Vasilika Hysi.

Kryeparlamentarit iu desh të takojë për 30 minuta zëdhënësin për Europën në grupin parlamentar të CSU në Bundestagun gjerman, Florian Hahn, i cili mbërriti në Shqipëri një ditë më parë.

Nën shoqërinë e kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, Ruçi e ka pritur Hahn-in në një nga zyrat e Kuvendit.

Mësohet se edhe gjatë takimit me dy socialistët ai iu ka shprehur interesin e lartë të Gjermanisë për një reformë zgjedhore përfundimtare dhe të plotë.

Vizita e Florian Hahn në Tiranë ishte planifikuar në fillim të këtij muaji, pikërisht ditën kur Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit, por u bë e ditur se deputeti gjerman i shtyu takimet për shkak të anulimit të fluturimit.

Por Hahn nuk është i vetmi zyrtar i huaj që mbërrin në Tiranë këto ditë. Të shtunën, kur opozita do të zhvillojë protestën për largimin e ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj, vjen Zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Pete Marocco.

SHKARKO APP