Kursi, ende “nën kontroll” – Sejko: Ndërhyrjet në tregun valutor do të vazhdojnë

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë ndërhyrjet në tregun valutor për të mos lejuar mbiçmimin e lekut. Guvernatori, Gent Sejko, tha të mërkurën se ndërhyrja tashmë ka dhënë efektet pozitive dhe ka mundësuar një stabilizim të kursit mes euros dhe lekut, sidomos në dy javët e fundit. Sidoqoftë, Sejko theksoi sërish se ndërhyrja në tregun valutor është një instrument i jashtëzakonshëm, që do të vazhdojë me kohë të kufizuar dhe vetëm në funksion të objektivit të inflacionit.

Banka e Shqipërisë vlerëson se përmirësimi i kërkesës së brendshme po jep efekte pozitive sidomos në indikatorët e tregut të punës. Guvernatori u shpreh optimist se përmirësimi i ekonomisë do të vazhdojë, i mbështetur, mes të tjerash, edhe nga normat e ulëta të interesit.

Sejko pranoi se ecuria e kreditimit të ekonomisë ngelet e ngadaltë, e kushtëzuar si nga kërkesa ende e dobët, ashtu edhe nga politikat e shtrënguara të kreditimit. Ai tha se bilancet e bankave janë përmirësuar ndjeshëm dhe ato duhet të jenë më aktive në plotësimin e nevojave të ekonomisë për financim.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1%. Në përditësimin e orientimit për tregjet, Guvernatori Sejko tha se nuk parashikohet një rritje e normës bazë të interesit para tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm.

SHKARKO APP