Letër babait…para se të shkosh të votosh

Nga Xhuliano Bregasi – Unë e di baba, që sot ti do shkosh të votosh, por meqë nuk u morëm vesh në telefon, po i shkruaj nja dy llafe këtu. Ti nuk ke facebook fare në fakt, për fat të mirë a të keq, por e di që do të t’i lexojë haberet komshiu që në pikë të mëngjesit.

Unë e di baba, që sot ti do shkosh të votosh, edhe pse të kam thënë shumë herë që është turp i madh. Të paktën voto Hazbiun, mbase shpëton nga mallkimi.

Unë e di baba, që sot ti do shkosh të votosh, madje edhe orarin se kur do shkosh të votosh. Do shkosh nga ora 10:00-11:00, pasi të kesh punuar nja 4-5 orë të mira e të të ketë rënë bretku, paçka se je në pension e duhet të rrije nën hije.

Unë e di baba, që sot ti do shkosh të votosh, edhe pse rruga e fshatit është si mos më keq dhe Klemi me gjasë e ka harruar fare se nga bie Kajca.

Unë e di baba, që sot ti do shkosh të votosh, se të ka folur në vesh kushëriri, se ai është në pozita të larta partie e çoç të ka bërë ndonjë nder të vogël dikur. Gjaku nuk bëhet ujë, ama me partinë nuk na lidh gjaku, por muti: muti që i ka bërë këtij vendi këto 29 vjet!

Unë e di baba, që sot ti do shkosh të votosh, se ashtu të ka thënë edhe kunati, i cili nuk ka asnjë interes por bredh kot më kot pas berihajës për PS-në, vetëm për inat të ca pleqve që janë me PD-në. Ti e vlerëson shumë atë dhe domosdo do ia dëgjosh fjalën.

Unë e di baba, që sot ti do shkosh të votosh, se ashtu të kanë thënë ca shushko që sillen vërdallë si veteranë. Të kanë përkëdhelur sedrën duke të thënë se “ti je nipi i Malo partizanit, duhet të shkosh t’ia japësh votën partisë”. Të ishte Malua gjallë, do e kishte marrë prapë belxhikun kundër kësaj partie, ndërsa ty dhe “veteranëve” do iu kishte futur ndonjë shkelm prapanicës.

Unë e di baba, që sot ti do shkosh të votosh, edhe pse nuk ke shpresë te asnjë nga maskarenjtë e partive, por si shumica e kësaj shoqërie edhe ti je i marrë peng, prandaj do shkosh. Po për çfarë dreqin vazhdon të jesh i marrë ende peng kur ke dalë edhe në pension?!

Unë e di baba, që sot ti do shkosh të votosh, se je i frikësuar në palcë, saqë në zgjedhjet e shkuara më tregove veç pas gjashtë muajsh që e kishte nxjerrë votën të pavlefshme në zgjedhjet e 2017-ës. Më the pak me vonesë, por ma bëre zemrën mal, me thënë të drejtën.

Unë e di baba, që sot ti do shkosh të votosh, për arsyet e mësipërme dhe plot të tjera që mund t’i dish vetëm ti. Unë do pres prapë të kalojnë pesë a gjashtë muaj, deri kur t’më tregosh nën zë që fletës së votimit i ke bërë naftën sërish. Edhe këtyre që të kanë folur në vesh. Gjysma e të keqes!

* ky është një nga shumë rastet e “kur të zë gjarpri aty ku nuk tregohet

SHKARKO APP