Mbretëri e Bashkuar: Laburistët drejt një fitoreje të thellë

Partia Laburiste e Keir Starmer është sipas përllogaritjeve paraprake drejt një fitoreje dërrmuese të zgjedhjeve parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar.

Pas 14 vjetësh qeverisjeje konservatore në Downing Street Nr 10 duket se do të ketë ndryshim politik.

Sipas përllogaritjeve paraprake pas mbylljes së qendrave të votimit në 650 zonat elektorale në Britaninë e Madhe Partia Laburiste ka fituar shumicën dërrmuese në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Partia Laburiste e Keir Starmer ka fituar 410 vende dhe një shumicë parlamentare prej 170 deputetësh.

Konservatorët e kryeministrit Rishi Sunak kanë fituar sipas përllogaritjeve paraprake vetëm 131 vende. Liberalët fituan 61 vende, Partia Reformatore e Nigel Farage 13 dhe partia skoceze SNP 10 vende.

Për Partinë Konservatore dhe kryeministrin aktual Rishi Sunak, këto zgjedhje shënojnë performancën më të keqe të kësaj partie.

Fitore personale për Keir Starmer

Fitorja dërrmuese e Partisë Laburiste përfaqëson një fitore personale për drejtuesin e partisë Sir Keir Starmer, i cili megjithë kritikat për një fushatë elektorale defensive, do të bëhet kryeministri i parë laburist i Mbretërisë së Bashkuar që nga Gordon Brown në vitin 2010.

Alastair Campbell, ish-këshilltari i Brown dhe paraardhësi dhe aleati i tij Tony Blair, i cili fitoi një shumicë të ngjashme të madhe në 1997, tha për radion Channel 4: “Askush nuk duhet ta nënvlerësojë kurrë Keir Starmer”.

Harriet Harman, anëtare e parlamentit laburist nga viti 1982 deri 2024, tha: “Është një moment për shpresë dhe ndryshim”.

Zgjedhësit duket se i shkaktuan një humbje historike Partisë Konservatore të kryeministrit Rishi Sunak, duke e lënë partinë në rrëmujë pas një qëndrimi prej 14 vjetësh në pushtet.

Udhëheqësi laburist Keir Starmer, u shprehu mirënjohje të gjithë atyre që punuan dhe votuan për partinë e tij.

Në një postim në X, ai shkroi, “për të gjithë ata që kanë bërë fushatë për Laburistët në këto zgjedhje, për të gjithë ata që votuan për ne dhe besuan në partinë tonë të ndryshuar të Punës – faleminderit”.

Rezultatet e plota do të dalin më vonë. Anketa kryhet nga kompania Ipsos e cila u kërkon njerëzve në një sërë qendrash votimi të plotësojnë një kopje të fletëvotimit që tregon se si kanë vendosur ata. Zakonisht anketa siguron një projeksion të besueshëm, por jo të saktë të rezultatit përfundimtar.

Ndryshe nga Franca ku partia e ekstremit të djathtë, Bashkimi Kombëtar i zonjës Marine Le Pen shënoi fitore historike në raundin e parë të zgjedhjeve të dielën e kaluar, publiku i zhgënjyer britanik duket se është zhvendosur drejt qendrës së majtë.

SHKARKO APP