Ndërtimet pa leje, 5 të arrestuar në Fier e Lushnjë

Agjentë të policisë së Fierit kanë arrestuar 5 persona për ndërtime pa leje, në zona të ndryshme të këtij qarku. Sipas një njoftimi për shtyp, fillimisht në pranga kanë përfunduar shtetasit Artan Metani dhe Agim Çela, përkatësisht 45 dhe 53 vjeç, nga fshati Levan, pasi u kapën në flagrancë duke ndërtuar një objekt pa leje.  

Materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë, e cila ka ngritur akuzat ndaj dy shtetasve të sipërpërmendur, i pari për “ndërtim të paligjshëm”, ndërsa i dyti për “dhënie ndihme në aktivitet ilegal”.  

Në vazhdën e aksioneve, për akuza të ngjashme, në prangat e uniformave blu ka përfunduar edhe shtetasi Besnik Meta, banues në fshatin Frakull e Madhe.  Dy personat e tjerë, Besjan Pepa dhe Servet Myzeqari, përkatësisht nga fshatrat Thanë dhe Koçaj, janë arrestuar në Lushnje për ndërtimin e një muri me gurë dhe beton në tokën e një shtetasi tjetër.

SHKARKO APP