Ndërtimi i gazsjellësit, nisin punimet për pjesën në det

Në Seman të Fierit nisin sot punimet për ndërtimin e seksionit detar të Gazsjellësit TransAdriatik, me gjatësi 105 km. Ky seksion do të lidhë segmentin shqiptar të TAP-it me atë italian.

Kjo fazë u inaugurua me një ceremoni ku merrte pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, si edhe drejtues të TAP-it.

Tubat do të shtrihen në shtratin e Adriatikut, ku pika më e thellë e tubacionit do të jetë më shumë se 810 metra nën sipërfaqen e detit. Afërsisht 10 anije do të merren me ndërtimin e seksionit detar; dy anije do përdoren për shtrimin e tubacionit dhe anije të veçanta për drenazhimin, furnizim me tuba dhe punime të tjera.

Për shtrirjen e tubave në ujëra të thella do të përdoret një anije shtrimi gjysmë e zhytur në ujë. Do të përdoren rreth 9 mijë tuba, me peshë të përafërt 100 mijë ton. Për ndërtimin dhe mbrojtjen e tubacionit, TAP-i po përdor standardet më të larta të industrisë.

SHKARKO APP