“Portet e mbyllura” të Salvinit, ulje drastike e klandestinëve në Itali
Politika e porteve të mbyllura për kontrollin e fluksit të emigracionit klandestinë në Itali duket se po fuksionon.
Linja e ashpër e ministrit të brendshëm italian Matteo Salvini shprehet mjaft qartë në të dhënat e sapo publikuara nga Departamenti i Sigurisë Publike dhe Emigracionit pranë Minsitrisë së Brendshme.
Nëntë muajt e parë të 2018 e në veçanti muaji shtator kanë shënuar minimumin historik të fluksit të emigrantëve të mbërritur në Itali.
Ora News ka siguruar Raportin e Departamentit të Emigracionit i cili përmban statistikat mbi fluksin e emigracionit në Itali nga 1 janari 2018 deri më sot 4 tetor 2018.
Në bazë të këtyre të dhënave viti 2018 ka shënuar minimumin historik të zbarkimit të emigrantëve klandestinë e të azilkërkuesve me një reduktim prej 80 % në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.
Nga 1 janari i këtij viti e deri më sot në Itali kanë mbërritur 21 119 azilkërkues kundrejt 106 mijë që ishte numri i tyre në të njëjtën periudhë kohore të 2017 e 132 mijë në 2016.
Reduktim të dukshëm ka regjistruar sidomos fluksi i emigrantëve përmes detit, shkak i mbylljes së porteve e largimit nga Mesdheu i anijeve humanitare të impenjuara në operacionet e kërkim shpëtimti të emigrantëve.
Nga 1 janari 2018 e deri më sot 4 tetor, nga brigjet libiane në Itali kanë mbërritur 12 396 emigrantë, nga 98 843 që ishte numri i tyre më vitin 2017.
Nga këndvështrimi statistikor shtatori i 2018 ka shënuar muajin e minimumit historik të emigrantëve në Itali ku kanë mbërritur vetëm 947 kundrejt 6282 emigrantë të ardhur në shtator të 2017 e 16 975 në shtator të 2016.
Për t’u shënuar është java e fundit e muajit shtator (23-30 shtator), ku në Itali nuk ka mbërritur asnjë emigrantë.
Sipas grafikëve të raportit të Departamentit të Emigracionit të Ministrisë së Brendshme Italiane portet me fluksin më të madh të emigrantëve janë porti i Pozzallo me 3554 emigranë, Porti i Katanias me 2961 e Porti i Lampeduzës me 2634 emigrantë të zbarkuar.
Kombësia e emigrantëve të mbërritur në Itali është mjaft e larmishme.
Në 2018 janë regjistruar 4575 tunizianë, 2047 emigrantë nga Eritrea, 1595 nga Sudan, 1363 nga Pakistani etj.