“Shqiptar i lindur në Iran”, si po e ndërrojnë identitetin azilkërkuesit shqiptarë në Zvicër

 

Që nga janari kufitarët zviceranë kanë ndalur pesë mijë persona, të cilët tentonin të hynin ilegalisht në Zvicër. Derisa në pikat kufitare me Italinë, sidomos në Chiasso, përpiqen të futen në Zvicër kryesisht afrikanët, në kufirin lindor sivjet më së shumti janë arrestuar shqiptarë nga Kosova.

Zyrtarisht Zvicra është anëtare e Marrëveshjes së Schengenit, e cila parasheh që mes 27 vendeve europiane të mos ketë kontrolle kufitare. Megjithëkëtë, në kufi me Zvicrën patrullat mobile të kufitarëve zviceranë janë ende aktive. Këtë e vërejnë sidomos shpesh ata që udhëtojnë me tren. «Grenzwache, guten Morgen!» – «Roja Kufitare, mirëmëngjesi!». Me këto fjalë kufitarët i zgjojnë nga gjumi udhëtarët në trenin e vijës Vjenë-Zürich. Derisa turistët nga vendet si Japonia me qetësi ua tregojnë pasaportat kufitarëve zviceranë, udhëtarë të tjerë dorëzohen dhe menjëherë parashtrojnë kërkesë për azil. Disa prej tyre shpesh fshihen në tualet.

Sipas një raporti të portalit të lajmeve «20 Minuten Online» Roja Kufitare e Zvicrës vitin e kaluar ka zbuluar 14’265 persona me qëndrim ilegal në Zvicër. Çdo i dhjeti prej tyre hyn në Zvicër përmes Luginës së Rajnës, në kufi me Austrinë. Shumica e azilkërkuesve ndalen në dy stacione të trenit: në Buchs dhe Sargans. Që nga fillimi i vitit 2015 kufitarët në këtë pjesë kanë ndalur 500 persona.

Shumica e personave që hyjnë ilegalisht në Zvicër rrjedhin nga Gambia. Por ndryshe është situata në Luginën e Rajnës: atje hyjnë ilegalisht kryesisht kosovarët. Në katër muajt e parë të këtij viti kufitarët kanë kapur 138 kosovarë, 59 afganë, 31 sirianë, 10 filipinas, 9 nigerianë dhe mbi 150 pjesëtarë të nacionaliteteve të tjera.

«Një ditë vetëm në një tren gjetëm 18 kosovarë», raporton kufitari Beat Bösch. Në shënjestër të kufitarëve është treni që vjen nga Vjena, sepse atij gjatë rrugës i ngjiten vagonë nga Budapesti apo Beogradi. Udhëtarët kontrollohen varësisht nga niveli i dyshimit: disave u kontrollohet vetëm letërnjoftimi apo pasaporta, të tjerët verifikohen edhe përmes gjurmëve të gishtave dhe po u zbulua se janë të regjistruar në Zvicër për shkak të delikteve të mëhershme apo qëndrimit të mëparshëm ilegal, atëherë të tillët i dorëzohen policisë. Disa persona ndalohen për herë të tretë. «Para së gjithash kosovarët kanë mundësi ta ndërrojnë identitetin disa herë», thotë kufitari Bösch. Ndonëse javëve të fundit ka rënë dukshëm numri i kosovarëve që ikin nga vendlindja, megjithatë kufitarët ballafaqohen ende me shqiptarë me origjinë të çuditshme. Njëri prej tyre me të cilin ka të bëjë kufitari Bösch prezantohet si shqiptar i lindur në Iran. Ai nuk pranon t’i respektojë urdhrat e kufitarit, i cili në rast të eskalimit të situatës ka të drejtë të lidhë për banke druri shqiptarin kryeneç.

SHKARKO APP