Sindikata del kundër anulimit të testit për komisar

Ripërsëritja e testimit të anuluar për 470 oficerët e policisë për gradën ”Komisar” nuk u zhvillua as këtë të enjte. Zyrtarisht thuhet se për shkak të riformulimit të tezës nevojitet më shumë kohë.

Pas verifikimeve, burime nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA), thonë se për testimin e datës 7 nëntor është referuar në Prokurorinë e Tiranës një kallzim penal për shpërdorim detyre.

Në urdhrin për anulimin e këtij testimi, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu theksonte se janë konstatuar mangësi që kanë cenuar integritetin e procesit. Ndërkohë, oficerë të shumtë në lidhje me këtë rast të paprecedentë i janë drejtuar Sindikatës së Policisë, e cila ka këtë qëndrim.

”Ne e konsiderojmë një veprim arbitrar. Dënimet kolektive janë të papranueshme. Drejtori i përgjithshëm të thotë arsyet e anulimit”, tha Sadetin Fishta. Disa oficerë ankohen se ditën e testimit teza doli dhe u kopjua, ndërsa të tjerë pretendojnë se anulimi i testimit u bë kur nga rezultatet dolën fitues për 130 vende vakante jo emrat e “preferuar”.

SHKARKO APP