Takim Basha-Balla-Veliaj? Basha e përgenjështron: Ishte rastësi në një ngushëllim

Nga Daniel Muçaku, kryeredaktor i KOHA JONE- 

Në momentin që Lulzim Basha deklaroi publikisht përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga PD, i pari që e përshendeti nga mazhoranca ishte vetëm Erion Veliaj, kryetar bashkisë së Tiranës, ndërkohë që kryeministri Edi Rama u tregua i kujdesshëm dhe i barazlarguar.

Asgjë nuk e pengonte kryeministrin të mbante anësi në këtë duel për jetë a vdekje në PD, por ai gjeti një shprehje ekzemplare kur tha se “nongrata dhe grata” në selinë blu janë një turp i padëgjuar.

Sot doli nga një media afër doktor Berishës se kishte fakte dhe prononcime se në një hotel të rëndësishëm janë takuar Lulzim Basha, Erion Veliaj dhe Taulant Balla.

Rastësi? Mundet.

Kur lajmi mori dhenë u detyrua Lulzim Basha të nxjerrë zyrën e shtypit të tij që ta mohojë këtë takim, por si nëpër dhëmbë pohoi se në këtë hotel ka shkuar për ngushëllim e ku pothuaj krejt rastësisht paskan shkuar edhe Erion Veliaj dhe Taulant Balla.

Duke ditur se kryebashkiaku tiranas është shumë i kujdesshëm në çdo lëvizje dhe ka struktura të posaçme që ia mirëkontrollojnë dhe përgatisin çdo lëvizje, kjo “rastësi” nuk gëlltitet kaq kollaj, sidomos nga Edi Rama.

Taulant Balla edhe mund të pranohet se ka brenda vetes një mllef dhe ndjenjë hakmarrje ndaj kryeministrit Rama se e hoqi nga sekretar të përgjithshëm dhe nuk e bëri ministër të brendshëm, siç Balla priste direkt pas 25 prillit, kur mori vota me shumë se Edi Rama.

Realisht të pranosh se në PS votohet me shumë Balla se sa kryeministri Edi Rama është një çmenduri e pabesuar, por fakti mbetet se Balla e dërmoi Ramën me vota në PS. Edhe droni në stadiumin e Elbasanit ishte hakmarrje fillestare ndaj kryeministrit.

Por le ta lemë Taulant Ballën, pasi deri këtu e ka takatin politik.

E habitshme mbetet që nëse Erion Veliaj ka takuar Lulzim Bashën dhe kjo gjë nuk është bërë publike. Edhe takim rastësor sikur të ishte, përsëri duhej gjetur mënyra të thuhej për të mos lenë që thashethemnaja të dërmojë radhët në PS.

Realisht thashethemet në kryeqytet vlojnë edhe kur nuk ka gjë të vertetë.

Në mjedisin e lartë politik dhe të analistëve VIP qarkullojnë fjalë se pasi të shkatërrohet Sali Berisha, do të ketë ngjarje në PS. Duke ditur autoritetin e fortë të Edi Ramës në PS dhe në qeveri, si duke parë se kemi një PD të përçarë e në vllavrasje me njeri tjetrin, aqsa këto ditë po nxjerrin edhe armët brenda selisë së PD-së; të gjithë besojnë se Edi Rama po shkon drejt një mandati tjetër pas vitit 2025.

Duke bërë avokatin e djallit, ka mundësi që takimi ka qenë rastësor mes Lulzim Bashës dhe Erion Veliajt, por ata janë treguar të pakujdesshëm që të tregonin, si rastësisht kur duan, se u takuam në një ngushëllim siç thotë tani në darkë zyra e Bashës.

Njerëz jemi dhe nuk jemi armiq, ndaj Basha e Veliaj nëse takohen në një vaki nuk ka asgjë të keqe. Por kur mundohen ta mbulojnë dhe arkivojnë në kohët digjitale, atëhere lindin dyshimet.

Natyrisht që Bashës i intereson një urë takimi me Erion Veliajn, aq me tepër se kryebashkiaku tiranas mbetet më i lumturi se po dërmohet dhe masakrohet ish-kryeministri Berisha prej Bashës.

Por edhe për faktin tjetër që Soros ka plane afatgjata, ku edhe pas epokës RAMA, të kenë njeriun e tyre në PS e pushtet. E ai që është planfikuar si “trashegimtar” mbetet Erion Veliaj.

Ndërkohë Basha është në lojën e tij e duhet pranuar se nuk luan keq. Të rrijmë shtrembër e të flasim drejt, Lulzim Basha po tregohet kokëfortë dhe nuk po e vret fare se çfarë thotë Berisha. Nuk po themi se ka të drejtë Basha, porse ai ka skuadër dhe luan në bllok në selinë blu.

Ajo që krijon dyshime mbetet se pse Erion Veliaj nuk publikoi takimin me Bashën në vakinë e ndodhur? Natyrisht që kur do Veliaj ti jap udhë një lajmi që nuk e dëshiron ti bëjë dëm atij, mbetet mjeshtër i madh.

Apo mos amerikanët kanë skemë për dyshen Basha-Veliaj që të marrin njeri PD-në dhe tjetri PS-në, duke larguar me të gjitha format Berishën, Metën dhe Ramën?

Erion Veliaj si rregull tregohet shumë i kujdesshëm ndaj Edi Ramës. Të paktën në formë është shërbetor korrekt në Surrel.

Por eksperienca e këtyre tre muajve të fundit na tregon se edhe Lulzim Basha ishte servil dhe i nënshtruar përballë Sali Berishës, derisa mbërriti sinjali nga Perandoria e Botës që ta masakronte “babain politik”.

 

SHKARKO APP