Vera e nxehtë e legjionarëve, shumë prej tyre mbeten në “rrugë”

Kombëtarja shqiptare po kalon një nga momentet më të vështira në vitet e fundit. Dy miqësoret e fundit ndaj Kosovës dhe Ukrainës, ishin prova më e qartë e formës së futbollistëve kuqezi. Një pjesë e mirë e tyre do të jenë në gjendjen e tyre më të mirë edhe gjatë sfidave të Ligës së Kombeve që nis në vjetshin e ardhshme. Shumë nga futbollistët ende nuk e kanë të qartë të ardhmen e tyre, ndërkohë që disa të tjerë të rinj, ende nuk arritur që të tregojnë vlerat e tyre më të mira. Strakosha, Berisha dhe Hysaj janë tri futbollistët e vetëm që janë stabël në skuadrat e tyre, madje janë ndër elementët më cilësor, ndërkohë që të tjerët kanë shumë luhatje.

MAVRAJ- Më 9 qershor do të mbushë 32 vjeç, është në një moment të keq me kombëtaren, ku nuk është se shihet me sy të mirë nga Panuçi, ndërsa ndërkohë që vështirë se do të mbetet sërish te Hamburgu në Bundesliga 2. Së fundmi përflitet për një ofertë nga klubi i Fenerbahçes, por vështirë se do të ketë hapësira edhe nëse ky operacion do të realizohet.

GJIMSHITI- Pas një sezoni shumë të mirë me Beneventon, duket se do të qëndrojë me siguri në Seria A, por Atalanta nuk do ta mbajë, dhe kërkon ta shesë në një ekip tjetër. Nuk do të jetë aspak e thjeshtë përshtatja nënjë ekip të ri, i cili me shumë mundësi mund të jetë nga Seria B.

AJETI- Mosha 24 vjeç është një faktor që e ndihmon, por në sezonin e fundit, ai ka qenë në hije.15 ndeshje si titullar te Krotone këtë sezon, me të në formacion Krotone humbi çdo ndeshje që luajti në vitin 2018 dhe pas mesit të muajit prill nuk e pa më formacionin. Ai do të rikthehet te Torino, por me siguri për të gjetu një ekip tjetër, pasi duket e vështirë për të qëndruar.

ODISE ROSHI- Mesfushori ka luajtur vetëm 13 ndeshje te Ahmati dhe duket se me shumë mundësi do të largohet gjatë kësaj vere. Destinacioni më i mundëshëm mund të jetë kampionati kroat, por ende nuk ka pasur ndonjë ofertë zyrtar.

BASHA- Mesfushori ka luajtur rregullisht dhe ka qenë në formë të shkëlqyer, por e ka mbyllur me Barin, pasi i mbaron kontrata dhe nuk i është ofruar rinovim. E ardhmja mbetet një mister, por me shumë mundësi do të mbetet në Seria B, teksa aty tashmë është një lider.

MEMUSHAJ – Mesfushori vlonjate ka humbur në sezonin e fundit me fanellën e Beneventos, teksa hapësirat për të janë ngushtuar javë pas jave. Ai nuk ka luajtur që nga muaji mars, ndërkohë që e ardhmja duket se do të jetë në Seria B, ose në kampionatin shqiptar, ku nuk mungon interesimi nga Flamurtari.

KAÇE- Mesfushori duket shumë pa fat, pasi duket i detyruar për t’u larguar nga Panathinaikos për shkak të problemeve që ka klubi grek me pagesat e lojtarëve. Edhe e ardhmja e tij është në ajër, teksa PAOK nuk e do më në skuadër.

XHAKA- Ai është një nga pikat e referimit te skuadra e Bazelit, por një dëmtim i rëndë do ta mbajë për disa muaj jashtë fushave të lojës. Kthimi i tij parashikohet gjatë vjeshtës, por vështirë të jetë në formën më të mirë për ndeshjet e Kombëtares.

Rezultate imazhesh për xhaka albania

ABRASHI- Të njëjtin fat të keq ka edhe mesfushori tjetër, i cili është dëmtuar që në mars dhe nuk dihet kur do të kthehet në formë optimale, duke i prishur shumë punë Shqipërisë, por edhe Frajburgut. Ai ka këputur ligamentin, dhe më shumë mundësi nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjet e vjeshtës.

CIKALLESHI- Osmanlispori ra nga kategoria dhe është një goditje shumë e rëndë për sulmuesin tonë. Kur luan, jep gjithnjë 100%, por i duhet besim dhe këtë sezon ka pasur luhatje në aktivizim, për dëmtime e probleme të tjera. E kërkojnë në Superligën turke, por duket se me Panuçin është ftohur prej kohësh, pa ardhur mirë Panuçi.

BEKIM BALAJ- Sulmuesi shkodran po kalon një moment delikat, pasi është aktivizuar vetëm 13 ndeshje sezonin e fundit. Dëmtimi i ka prishur shumë punë, ndërkohë që e ardhmja mbetet ende një enigmë.

SADIKU- Është një nga futbollistët më të spikatur të Kombëtares në vitet e fundit, por sezoni i tij i fundit ka qenë një makth i vërtet. Kalimi te Levante nuk ka qenë një zgjedhje e zgjuar, pasi për të nuk ka pasur pothuajse fare hapësira. Vetëm 6 ndeshje, ku më e shumta në fushë ka qenë për 65 minuta, nuk janë aspak statistika që premtojnë shumë për ta pasur në formë në sfidat zyrtare në vjeshtë.

SHKARKO APP