Vrasje apo vetëvrasje? Detaje për ngjarjen në Linzë

69-vjeçari me origjine nga Permeti por me banim në Tiranë, u gjet dje i vdekur në Linzë. Policia e Tiranës raportoi zyrtarisht se ishte vetëvrarë, pasi pranë trupit të tij u gjet një pistoletë.

Viktima Gani Çela kishte lënë edhe një letër për fëmijët e tij, ku shkruante se nuk është e nevojshme që policia të hetojë, dhe u kërkonte të kujdesen për mamanë e tyre.

Ndërkohë, në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit jepet një informacion kontradiktor, ku raportohet se pistoleta e viktimës u gjet në brezin e tij, ndryshe nga njoftimi i djeshëm i Policisë së Tiranës që thuhej se arma u konstatua pranë trupit.

“Më datë 22.09.2016, në rrugën për në fshatin Linzë, është gjetur i vdekur shtetasi G.Ç, vjeç 69, banues në Tiranë, ku dyshohet se është vetëvrarë me pistoletë, e cila u gjet në brezin e viktimës. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim”, thuhet në njoftimin e faqes online të Policisë së Shtetit.

Sipas këtij detaji, lindin dyshime se 69-vjeçari nuk mund të jetë vetëvrarë nëse pistoleta ka qenë në brez, por mund të jetë qëlluar nga persona të tjerë.

SHKARKO APP