Zamir Dule: Enigma e përgjakur e një masakre politike

(Botuar me 31 Mars 1996 në KOHA JONE)

Nga Zamir Dule-

Prolog

Rreth vrasjeve të 2 prillit është shkruar shumë. Dhe do të vazhdohet të shkruhet sërish, mbase pambarimisht. Ajo që e bën këtë krim të jehojë gjatë është misteri që e rrethon. Por edhe një habi e madhe që s’besoj të shuhet lehtë. Është habia që të ngjall shpejtësia me të cilën, krimi politik më spektakolar i këtij shekulli në Shqipëri, ai që u krye para syve të mijëra njerëzve, pa përmendur “sytë magjikë” të aparateve fotografikë, pra pikërisht një krim të tillë, i ndodhur në mes të ditës me diell dhe në zemër të qytetit, u vesh i tëri me mister si me një pancir të zi. Që të arrish të zhveshësh petkun e rëndë të kësaj masakre, të futesh në skutat e saj dritën e së vërtetës, të mjaftueshme për të qenë shpirtërisht të qetë para historisë, është tepër e vështirë. Për të mos thënë e pamundur. Është një aksiomë e hidhur ajo që thuhet për një krim që e brejnë vitet: Sa më shumë kohë të kalojë, aq më vështirë bëhet për t’iu afruar të vërtetës së një krimi. Për më tepër të një krimi si ky. Pra, ishin vrasjet në Shkodër, në 2 prill 91, krimi i fundit i diktaturës komuniste, apo katër martirët e demokracisë ishin samuraj të opozitës? Gjithçka që ndodhi atë ditë të zezë ka qenë një “kapriço” tragjike e fatit apo është organizuar nga UDB-ja jugosllave për të  çekuilibruar deri në çmenduri situatën eksplozive në Shqipëri? 2 Prilli ka shumë pandehma dhe interpretime të dyzuara, ka thënë Përjaku, kryetar i shoqatës që mban emrin e asaj dite tragjike. Por me gjithë këtë mishmash të madh faktesh, dyshimesh e supozimesh, do të orvatemi të paraqesim dy versione, ato më të diskutueshmet e më të mundshmet.

Versioni i parë

Si lindi akuza që rrëzoi tre qeveri

Vetëm 6 orë pas krimit, doktor Sali Berisha, në atë kohë kryetar i PS, bashkë më z.Preç Zogaj takuan Ramiz Alinë atëherë kryetar i Këshillit Presidencial. “Në qytetin e Shkodrës para komitetit të PPSH, i qëlluar nga zyrat e tij, është vrarë një student, aktivist i shquar i PD, Arben Broci”, iu drejtua me një frymë Berisha Alisë, duke shtuar se “ky ishte një krim i organizuar me qëllime të errëta kundër opozitës”. Kjo ishte e para akuzë, ndonëse jo fort e qartë, e lëshuar kundër komunistëve. Po më 2 Prill, në mbrëmje PD organizoi një konferencë shtypi tip “blic” ku pasi denoncoi hapur për manipulime në zgjedhje e fokusoi tonin në pasojat tragjike duke iu referuar natyrisht vrasjeve në Shkodër të katër të rinjve.  Pastaj, meqenëse “hetuesia po punonte me stil shumë të ngathët”, siç do ta pranonte vetë Alia, më 11 prill në mbledhjen e byrosë politike të KQ të partisë, opozita u bë e papërmbajtshme. Vetëm dy ditë para mbledhjes së parë të Kuvendit Popullor që doli pas zgjedhjeve pluraliste të 22 marsit, PD botoi te gazeta e saj një deklaratë të ashpër sipas së cilës “do të bojkotonte pjesëmarrjen në Parlament nëse brenda 48 orëve nuk do të shpalleshin hetimet dhe ndëshkoheshin fajtorët”. Dhe ashtu bëri vërtet, ndonëse koha ishte tepër e ngushtë për të futur hetimet në rrjedhën e tyre për më tepër të “ndëshkonte fajtorët”. Kjo e fundit ishte një kërkesë që më tepër se nga injoranca, pasi juridikisht dhe realisht ishte krejt e pamundur të ndodhte kështu, buronte nga dëshira e ethshme për të rrëzuar sa më shpejt pushtetin e komunistëve, i cili sipas profecive të liderëve të PD “nuk mund të qëndronte më shumë se dy muaj”.

Alibia e PD

Arsyet përse PD mund të abuzonte me vrasjet në Shqipëri ishin të shumta dhe në pamje të parë tepër kompromentuese. Para së gjithash alibia, një alibi e fortë që i përjashtonte ata në mënyrë kategorike – të paktën në fillim – nga fajësia. Dallga e zemërimit të turmës së pambrojtur që protestonte ndaj fitores së komunistëve në zgjedhjet e 22 marsit e grumbulluar para sheshit të komitetit të PP, ishte drejtuar pikërisht kundër tyre. Pikërisht nga dritaret e kësaj godine punonjësit e rendit hapën zjarr mbi manifestuesit e paligjshëm. (Pak kush guxonte të pohonte të kundërtën në atë kohë, pasi do të tingëllonte në mos si një çmenduri, të paktën si një tallje). E në mbështetje të kësaj teze 23 ditë më vonë, në mbrëmjen e 25 prillit, komisioni i posaçëm parlamentar, i ngritur nga Kuvendi Popullor për “të ndjekur ecurinë e hetimeve” të kësaj ngjarje,  përgjegjësinë tragjike ja atribuonte punonjësve të policisë, “të cilët duke vepruar në kundërshtim me ligjet në fuqi, kanë sjellë këtë pasojë të rëndë”. Pastaj heshtja e patolerueshme e TV Shtetëror që nuk e përcolli tek shikuesit masakrën me gjithë përmasat e saj, ngadalësia e hetimeve, (“kjo zvarritje provon se ç’ndikim të shëmtuar kanë motivet politike mbi ligjin,” do të shprehej atëherë Berisha), cilësimi i viktimave si “vandalistë”, versioni i Qemal Lames “heretikut të dyshimtë” për “makijazhet që Qeveria orvatej t’i bënte 2 prillit” e një mori arsyesh të tjera, nuk të krijonin përshtypjen e një shenjtori, por të një fajtori. Madje, ky krim që do t’u vinte komunistëve shkopinjtë nën rrota  po ia paralizonte atyre veprimtarinë e qeverive jetëshkurtra që formoheshin e shpërbëheshin njëra pas tjetrës dhe si të donte të çlirohej nga një makth, detyroi parlamentin pluralist me 6 maj 91 të shkarkojë nga funksionet e larta prokurorin e përgjithshëm Rrapi Mino, kryetarin e hetuesisë së përgjithshme Qemal Lame, të cilët nuk luajtën siç duhet rolin e tyre në hetimin e krimit. Po ashtu Parlamenti shkarkoi nga detyra edhe ministrin e punëve të brendshme Gramoz Ruci, i cili mbante përgjegjësi për mosdhënien e udhëzimeve konkrete se si duhej vepruar në atë rast. Dhe si të mos mjaftonin vetëm këtu, grupi i deputetëve të pozitës, ndërkohë që  deputetët e PD u ngritën në këmbë në shenjë respekti për katër martirët e demokracisë bënë atë për të cilën Dokle, nënkryetari i PS, do të pohonte 4 vjet më vonë se “skuqem që nuk u ngritëm në Parlament për të mbajtur zi për ata djem”.  Ky cinizëm i akullt i deputetëve komunistë stimuloi dukshëm opozitën të dendësojnë akuzat direkte për implikimin e kundërshtarëve të tyre në masakrën e pashembullt. Padyshim, edhe kjo ishte një alibi më shumë që shuguronte “mea culpa” e tyre.

Nën akuzë triumvirati, Alia, Ruçi, Nano

Përpjekja për të hequr rrobën e përgjakur të krimit nga supet e atyre segmenteve të shtetit që me sa duket ishin inkriminuar për shkak të “instinktit të vetëmbrojtjes” – Dega e Punëve të Brendshme Shkodër, si dhe pjesërisht Komiteti Ekzekutiv apo Komitit i PP së Rrethit – nuk arriti megjithatë të frenojë lukuninë e akuzave kundër tre “regjisorëve” të krimit të kobshëm; ish-Presidentin Alia, ish-Ministrin e Brendshëm Ruçi dhe ish-Kryeministrin Nano. Me rihapjen e hetimeve të “2 Prillit” në suazën e “antigjenocidit” në dosjen e rëndë të urdhërdhënësit të masakrës u shtua edhe një procesverbal i mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PP më 11 Prill 91. Nëse lexon me kujdes këtë procesverbal ndihet qartë kaosi që sundonte në çdo pëllëmbë të Shqipërisë, (apo siç thoshte Alia “fantazmën e luftës civile që vërtitej nëpër këmbë”), grevat e panumërta të sindikalistëve që do t’ia sillnin qeverive shpirtin në majë të hundës, lëvizja populiste që si një makinë e tmerrshme shkatërronte çdo gjë që gjente përpara, kërkesat e shpeshta të opozitës për zgjedhje të parakohshme, qeveritë që do të lindnin dhe vdisnin brenda javëve. Pra e thënë shkurt, në këtë procesverbal mbi të cilin është mbështetur njëra këmbë e akuzës kundër Alisë, mund të shohësh gjithë tablonë e zymtë dhe të frikshme të vitit të paharruar 91, por kurrsesi nuk mund të gjesh në të ndonjë gjurmë krimi. Edhe nëse do të ekzistonte vërtet një krim i tillë, dhelpra e vjetër e politikës nuk mund ta fuste veten në kurth kaq mendjelehtësisht. Në fund të fundit., pohimi i tij se “policia ka përdorur armët e zjarrit kur masa ka filluar të qëllojë me gur kundër saj”, nuk përbën megjithatë ndonjë krim. Madje as një dyshim për krim. Ndërsa Gramoz Ruçi, ish Ministri i Brendshëm duket se është më i “pambrojturi”. Azem Hajdari kryetari i komisionit parlamentar për mbrojtjen, rendin dhe shikun, do të zbulonte këtë vit “fillin e Arianës”, gjatë marrjes në pyetje nga organi i prokurorisë së kryeqytetit lidhur me vrasjet në Shkodër, dhe u duk sikur tashmë do ta lidhte Rucin në “shtyllën e turpit”.  Zbulimi i ri i Hajdarit, “disa dokumente që hedhin dritë mbi enigmën e vrasjeve makabre të 2 Prillit”, siç do ta konsideronte ai, në të vërtetë i përkiste një fakti të shoshitur më parë nga hetuesia dhe gjykatat. Bëhet fjalë pra për tre fonograme të nisura nga Ministri i Brendshëm i asaj kohe, G. Ruçi, në të cilat ai, sipas Hajdarit “instruktonte për vendosjen e snajperëve dhe goditjen e njerëzve në turmë”. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, Ruçi gjithnjë ka mohuar vërtetësinë e këtyre fonogrameve me përmbajtje rrëqethëse, atëherë urdhri i tij është i ngjashëm me atë të Geringut: “Çdo predhë që del nga gryka e armëve të policisë, është predha ime. Në qoftë se ju e quani këtë një vrasje, atëherë vrasësi jam unë”. Pikërisht duke u kapur pas këtij “fakti” – edhe pse është njëlloj si i mbyturi që kapet pas fijes së kashtës, – shteti i sotëm ndoshta pret ardhjen e 3 Prillit që ta dënojë edhe ish-Ministrin. Por nëse Alinë mund ta kryqëzojë një proces verbal partie, Ruçin tre fonograme “monstruoze”, po Nanon vallë, kush mund ta kryqëzojë? Pasi tek e fundit, “prokuroria dhe organet e tjera të instrumentalizuara dukshëm”, siç do të pohonte në Shkurt të këtij viti, lideri i burgosur i PS, pikërisht këtë synonin: të ngulnin edhe një gozhdë më shumë në trupin  e tij. Për ta mbërthyer fort nga të katër anët. Por fuqia e goditjes së tyre, ishte drejtuar mjeshtërisht keq. Goditjen e paracaktuar për Nanon, ata e morën vetë në kokë. Dhe kjo ndodhi më 13 shkurt të këtij viti, në burgun e Bënçës kur ai dëboi grupin special të hetuesve që kishin shkuar aty ta intervistonin në lidhje me hekatombën politike të 2 Prillit.

Versioni i dytë

Kush e futi në mill thikën e përgjakur dhe bërtiti “kapeni vrasësin”?

Zbulimi i lemerisshëm, atë që Kadare, disa orë pas krimit tronditës, do ta cilësonte që nga Franca “krim shtetëror” në të vërtetë zhbllokoi urrejtjen ndaj komunistëve, për të mos thënë ushqeu fuqishëm shpirtrat e përflakura nga hakmarrja, por pak nga pak, ditë pas dite, kur po shturbulloheshin rrethanat, versioni zyrtar po bëhej gjithnjë e më i pasigurt, më i paqëndrueshëm. Nëse në fillim besohej gati verbërisht se komunistët që pas sundimit të tyre të gjatë po fundoseshin, kishin arsye të fortë për të kryer atë masakër, më pas ndodhi e kundërta, ajo më pak e përfytyrueshmja, që edhe demokratët, të cilët synonin të vinin sa më shpejt në pushtet, kishin po aq arsye,  në mos më tepër, për të kryer krimin e tmerrshëm.

“Edhe djalli nuk është aq i zi sa duket”

Kundërakuzat e para të ashpra, të ngritura kundër PD, ishin të vonuara, edhe pse fillesat i kanë pasur qysh ditën e krimit. Por ato qenë tepër të zbehta për t’u besuar. Më pas, me kalimin e kohës, vrasja e Shkodrës, për të cilën disa ditë pas krimit, në seancën e dytë të Kuvendit Popullor, Berisha do ta theksonte me patos, “krimi i përbindshëm që ka plagosur rëndë ndërgjegjen shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve”, po bëhej si një Gorgonë që gati sa nuk po e mbyste PD. Erdhi një ditë që pëshpëritjet nën zë që endeshin nëpër rrugë u ngjitën, nëpër fasadat e mureve të qytetit të Shkodrës, në formën e parullave përvëluese, ku akuzoheshin emrat e Arbnorit, Spahisë dhe Hajdarit. Dalëngadalë njerëzit po shihnin se “edhe djalli nuk ishte aq i zi sa dukej”. Po ashtu, shtypi i opozitës, i gjendur nën trysninë e egër të një realiteti nuk mund të besohej vetëm njëri kor, pas farsës gjyqësore të Dhjetorit 92, sikur mori zemër dhe si të zgjohej nga një gjumë letargjik filloi t’u përgjigjej sulmeve të PD me të njëjtën monedhë. Në të vërtetë, që në seancat e para hetimore, – edhe pse nga opozita e atëhershme, por edhe nga shumica e opinionit ishte spërkatur me doza të theksuara sarkazme – lupa e hetuesve ishte përqendruar tek ajo që është në fund të fundit “thembra e Akilit”, e një krimi pra origjina e tij.

Karoseli i vdekjes

“2 Prilli” është një thikë e ngulur në trupin e Shkodrës, thotë Eduart Përjaku, kryetar i shoqatës që është “kunguar” me atë ditë ogurzezë. Por më e saktë do të ishte të thuhej se kjo thikë u ngul në shpinën e Shkodrës. Dhe të krejt demokracisë në Shqipëri. Po kush e futi në mill thikën e përgjakur e pastaj bërtiti: “kapeni vrasësin!” Është hamendësuar shumë rreth faktit se cilët mund të kenë vërtitur të parët karoselin e vdekjes. Është diskutuar gjithashtu edhe fakti tjetër, po aq i rëndësishëm, ndoshta më tepër se i pari. Pra, cilët i hipën të parët njerëzit e pafajshëm në këtë karosel makabër? Pra çështja shtrohet fare thjeshtë: në këtë bashkëfajësi fatale – le të supozojmë për një moment se është pikërisht kështu – cilët janë më shumë fajtorë? Ose e thënë më qartë, a mund të vërtitej karoseli i vdekjes nëse njerëzit nuk do të hipnin në të?! “Ngjarja e Shkodrës mund dhe duhej të evitohej”, konfirmonte komisioni i posaçëm parlamentar që u ngrit për këtë çështje. Por tashmë ç’kishte për t’u bërë u bë dhe duhej të përcaktoheshin fajtorët. Dhe origjina e krimit, logjikisht gjendet pikërisht në këtë pikë kyçe. Pra cilët ishin organizatorët e manifestimeve të paligjshme më 1 dhe 2 Prill 91? Cilët i nxorën në rrugë nxënësit e dy shkollave të mesme të qytetit: “Jordan Misja” dhe “29 Nëntori”?! Dhe së fundmi, kush dha urdhër të hapej zjarr mbi demonstruesit? Ndonëse grupi special i hetuesve u orvat të zbulonte se cilët ishin organizatorët, i  hasi sharra në gozhdë. Dhe kjo ndodhi për të vetmen arsye se dhëmbëzat e sharrës në atë kohë ishin ndryshkur. Pikërisht për këtë shkak mbi grupin e hetuesve të 2 Prillit rëndojnë aq dyshime. Ndonëse arrestimi i dy organizatorëve të manifestuesve në atë periudhë katrahure mund ta shtonte më tepër konfuzionin, megjithatë nëse kjo do të arrihej të bëhej, ndoshta enigma e masakrës së Shkodrës, nuk do të ishte kaq e madhe. Ishe pikërisht ky tolerim i kushtëzuar, ai që në fund të fundit tërhoqi rrufetë e akuzave të PD mbi vete. Deri tani drejtësia është marrë vetëm me një pjesë të së vërtetës ose nëse e ekzagjerojmë pak, me gjysmën e saj.  Ndërkohë njëra gjysmë, pa të cilën nuk do të ekzistonte kurrë gjysma e plotë, endet në terr. Ose shfrytëzohet politikisht për të goditur gjysmën tjetër. Imazhet e atij mëngjesi tragjik, furia e tërbua e turmës së eksituar, me sytë e ndezur nga gjaku që pas linçimit të saj, brenda disa minuta, shndërroi në gërmadhë komitetin e PP, janë ende të gjalla në kujtesën e njerëzve. Po gjithashtu është ende gjallë edhe një dyshim i madh. Ose e thënë më qartë, një pyetje e madhe që ngrihet mes atij boshllëku të thellë,krijuar në prapaskenën e krimit. Për të zbutur revoltën e manifestuesve që edhe në mëngjesin e 2 Prillit, ashtu sikurse edhe një ditë më parë, kishin dalë para sheshit të komitetit të PP të irrituar nga triumfi i komunistëve në zgjedhje, dega e PD Shkodër, dërgoi disa anëtarë të kryesisë mes të cilëve edhe Arben Brocin. Mirë që Ali Spahia në ato çaste të tmerrshme duhej të qëndronte në spitalin e qytetit për të numëruar plagët e të plagosurve të shumtë, po Pjetër Arbnori, atëherë kryetari i degës së PD Shkodër, përse nuk u vetësakrifikua për të dhënë shembullin i pari? Ndërsa roli i Hajdarit, këtij studenti të Dhjetorit është më kompleks se dy të parët.

Studenti i Dhjetorit, “objekti dhe subjekti i krimit”

“Azem Hajdari është objekti dhe subjekti i vrasjeve në Shkodër”. Kjo deklaratë shpërthyese e bërë nga Gramoz Ruçi, sekretar i përgjithshëm i PS në janar të këtij viti, pas marrjes në pyetje nga organi i prokurorisë së kryeqytetit në lidhje me rihetimin e 2 Prillit, është vërtet e tmerrshme. Por në të vërtetë, akuzën e parë kundër tij e ka lëshuar sekretari i parë i PP për Tiranën, vetëm disa orë pas ngjarjes, akuzë të cilën ai do ta theksonte edhe të nesërmen gjatë konferencës për shtyp. Ai akuzonte Hajdarin se u kishte prirë manifestuesve. Ndërsa Capajev Taçi, kryetari i degës së punëve të brendshme Shkodër, shkoi më thellë kur tre ditë pas ngjarjes i kërkoi grupit të hetuesve, ardhur nga kryeqyteti që “të akuzohet PD dhe A. Hajdari si shkaktar”. Më pas, akuzat u shkruan nëpër muret e Shkodrës. Natyrisht, këto ishin akuza tepër të rënda. Dhe jo vetëm për Azem Hajdarin, pasi kjo do të ishte e keqja më e vogël, por për krejt PD, ashtu sikundërse implikimi i “gjymtyrëve të dorës së fundit” të shtetit komunist damkosi krejt PP.

Spekulimi i madh

Zakonisht pushteti e shpërfytyron njeriun, ose për të qenë matematikisht i saktë e përçudnon atë. Ndërsa ajo që ndodhi me masakrën e 2 Prillit, i kalon një mijë herë kufijtë e përçudnimit. 2 Prilli nuk është një krim artizanal, nga ato që kishin ndodhur në vitin 90 në kufi, në Kavajë, apo në kryeqytet, qofshin këto edhe të kalibrit të “grushtit të shtetit” të 22 Shkurtit. 2 Prilli është krejt ndryshe, një mijë herë më kompleks, më kapricoz. Një krim i pastër politik që do të trondiste deri në themele shtetin, me frymëmarrje të rënduar, i ndodhur në zgrip të rrokullisjes së madhe. Nëse motivi i këtij krimi që përshpejtoi rënien e komunistëve është fare i qartë, për autorët e tij vetëm mund të hamendësohet. Kjo është padyshim kontradikta më e madhe që mund të ekzistojë në një krim, një kontradiktë  paradoksale që e shton akoma më shumë tragjizmin dhe misterin e tij. Dhe përpos kësaj, është dhe ana tjetër e medaljes, që nëse nuk e vështirëson zbulimin e së vërtetës, e kthen atë në një maskë. Dihet që efekti i vrasjeve politike është ai i një bumerangu, i cili në vend të frenojë një lëvizje demokratike, e shtyn atë të eci përpara, më shpejt se më parë. (Mjafton të kujtojmë se vrasja e Avni Rustemit, kundërshtarit të Zogut, ndonëse u bë për motive personale provokoi Revolucionin e Qershorit, duke detyruar Zogun të fluturojë për në Vjenë si me katapultë nga froni i Ministrit të Brendshëm). Sigurisht ky është një spekulim tragjik edhe atëherë kur buron nga një therori e provokuar nga kundërshtari. Por kur viktimat politike flijohen për të krijuar artificialisht bumerangun, për të sfiduar apo përdhosur kundërshtarin, në këtë rast spekulimi shumëfishohet. Shndërrohet në një çmenduri të përgjakur apo në një harakiri pervers. Pyetja që të lind pas këtij arsyetimi është e thjeshtë: kujt i interesonte të krijonte një bumerang të tillë? Nëse komunistët ishin shkaktarët e masakrës dhe nuk kishin llogaritur pasojat e këtij bumerangu, kjo është një syleshëri që i mori në qafë në zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit. E nëse demokratët ishin ata që krijuan bumerangun qëllimisht, kjo dëshmon se i kishin bërë hesapet me hanxhiun. Por që t’i japësh përgjigje këtyre pyetjeve, do të thotë të zgjidhësh nyjën Gordiane ose e thënë ndryshe, do të thotë se pikërisht këtu fillon misteri më i madh. Në kohën kur ndodhën vrasjet politike në Shkodër, shteti ndjehej krejt i pafuqishëm, me nerva të këputura. Ai shtet, i cili për 45 vjet me radhë, brenda disa orëve apo e shumta disa ditëve, ia kontrollonte edhe zorrët e barkut shtetasve të vet për të gjetur në to sekretet e thella, (edhe atëherë kur nuk ekzistonin), tashmë nuk ishte në gjendje t’i fuste duart e tij “të padukshme” në zorrët e përgjakura të këtij krimi që do t’i ngatërrohej nëpër këmbë dhe për gati një vit me radhë do ta pengonte të ecte normalisht, gjersa më 22 Mars 92, e shembi përdhe. “Që nga dita e parë e mbledhjes së Kuvendit Popullor Pluralist, e vazhdimisht, në qendër të luftës politike, ka qenë ngjarja tragjike e Shkodrës”, thotë ish Presidenti Alia, tek libri i tij i fundit “Shpresa dhe zhgënjime”. Ky pohim për fat të keq është tragjikisht i vërtetë. Një nga sloganet kryesore që kanë përdorur grevat e dendura të sindikatave të pavarura, ishte pikërisht ajo e 2 Prillit. “Vrasësit e Shkodrës para gjyqit”, ishte klisheja që përsëritej shpesh prej tyre në atë kohë. Madje ish Kryeministri Fatos Nano, para se të krijonte kabinetin e qeverisë së tij të dytë, në fillim të Majit të atij viti të stuhishëm, i kërkoi Parlamentit se “në qoftë se do të më japë votëbesimin për të formuar qeverinë e re e quaj si një detyrë prioritare të qeverisë së ardhshme angazhimin e plotë që kjo çështje të sqarohet”. Fjalimi i Berishës mbi varrin e Arben Brocit në fakt ka qenë shumë prekës. “Koha do të kalojë, historia nuk do t’ia falë kriminelit, ndërsa ty Shqipëria do të kujtojë si hero”. Në të vërtetë, kohë rrodhi boll, Arben Broci po kujtohet vërtet si hero edhe historia nuk po ja fal kriminelit apo kriminelëve, por ama vrasësit po i fal drejtësia. “Drejtësia duhet të vërë në bankën e të akuzuarve vrasësit e vërtetë dhe jo ato imagjinarë” thekson Agim Tirana, avokati i njohur që ka mbrojtur njërin prej tre policëve të akuzuar fillimisht për implikim në vrasje e më pas për “shpërdorim armatimi”. Ndërsa  Gjek Çela, zëvendës shefi i policisë së Shkodrës, i dënuar me 15 vjet burg për “vrasje indirekte” do t’i konfirmonte “KJ” në Mars të këtij viti deklaratën më eksplozive, pas asaj të Rucit apo të Nanos bërë nga burgu i Bënçës. Sipas tij “ata që bëjnë më tepër zhurmë për këtë ngjarje, janë ata që u intereson më pak ajo që quhet “e vërteta lakuriqe rreth saj”.  Eshtrat e “engjëjve të demokracisë” që Berisha gjatë funeralit të katër martirëve i kishte siguruar “të flinin të qetë” në fakt, nuk po “vënë fare gjumin në sy”. Përkundrazi janë pushtuar nga një gjendje e makthshme, pasi jo vetëm që krimi nuk u ndëshkua realisht por pikërisht për këtë shkak po spekulohet me të në mënyrën më të paskrupullt edhe tani kur kanë kaluar 5 vjet. Padyshim, ky është kulmi i hipokrizisë politike, por në politikën shqiptare rrallë herë mund të gjesh pakëz vend për thënien shekspiriane: “O turp, ku e ke të kuqtë?!”. Pasi këtë kartë, ndonëse tashmë të djegur, PD tentoi dëshpërueshëm ta luajë edhe gjatë kësaj fushate elektorale, dhe pse tashmë sipas të gjitha gjasave, shanset për t’i fituar i ka të humbura.

Post skriptum

Duhen shumë lopata për të varrosur të vërtetën, ka thënë M. Gandi. Ndërsa për të varrosur të vërtetën e masakrës së 2 prillit, ka mjaftuar vetëm një grusht dhe. Duket sikur kjo e thjeshtëson deri në kthjelltësi misterin ashtu sikurse të ngjan e kundërta; pikërisht fakti që krimi është varrosur shumë cekët, ngandonjëherë krimi që duket sheshit është më i vështirë për t’u zbuluar – e ngatërron më tepër lëmshin duke bërë që të lindë një tjetër pyetje e madhe: kush ishte aq dinak apo të themi me fat saqë mbuloi vetëm me një grusht dhe vrasjen politike më të madhe të postdiktaturës? Por ndoshta ne kërkojmë më tepër nga ç’mundemi. Ndoshta vetë ajo periudhë është më kokëforte se faktet. Ndodh shpesh në drejtësi që edhe atëherë kur dihen autorët e një krimi, jo vetëm për shkak të zbehtësisë së provave, por edhe për një mori arsyesh të tjera, ata s’mund të vihen kurrë me shpatulla pas murit. Ndoshta ky është një fatalitet, një nga më të mëdhatë që ka njohur historia jonë. Nëse do të perifrazonim një autor amerikan – dhëntë Zoti që ky perifrazim të jetë kryekëput i gabuar – “është një bast  i sigurtë që misteri i masakrës së 2 Prillit do të ngelet i pazgjidhur”. Shpresat, për afrimin e një dite kur heshtja e dëshmitarëve do të thyhet nga thënia e famshme latine: “mik e kam Platonin, por më shumë mik e kam të vërtetën”, janë të vakta. Ndoshta kjo ndodh për arsyen e thjeshtë, se “dëshmitarët kanë qenë të vetinkriminuar apo ua kanë zënë kokën me derë më vonë. Duket sikur nga thellësia e asaj dite mallkimtare, del një zë i çjerrë armiqësor, sa herë që dikush gërmon rreth 2 Prillit, sa herë që dikush tenton ta shqyejë koracën e saj të kobshme, ai zë i përzier me një duhmë të fortë gjaku të mpiksur, ja vë gishtin në  buzë, dhe përsëri thënien e Volterit; “Hesht! Libri i fakteve është i mbyllur për ju!”./Zamir Dule/

SHKARKO APP