Zbardhen detaje, i plagosur mbeti edhe xhaxhai i Fation Muratit. Ja pista ku po hetohet

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me atentatin e një ditë më parë në zonën e Don Boskos, ku për pasojë një grua mbeti e vrarë dhe pesë persona të tjerë u plagosën.

Pista kryesore ku po hetojnë autoritetet është ajo e hakmarrjes, që lidhet me Fation Muratin, person me precedent penal.

Ndërkohë dyshohet se objektivi i atentatorëve ka qenë Sahit Murati, xhaxhai i Fation Muratit.

Nga të shtënat me armë zjarri u vra gabimisht Mimoza Paja, 60-vjeçarja e cila punonte si banakiere ne lokal, ndërsa i plagosën Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanule Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli si dhe një vajzë e vogël 10 vjece e cila u lëndua nga xhamat e lokalit, raporton Panorama.

KUSH ËSHTË FATJON MURATI

Lokali në të cilin u qëllua me armë mbrëmjen e djeshme në një atentat mësohet se i përket Fatjon Muratit, të riut që kohë më parë ishte i dyshuar për një sërë ngjarjesh kriminale.

Emri i tij në fakt doli në një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vendin tonë vitin e kaluar, ku në një pritë u vranë mizorisht tre të rinj, mes tyre Brilant Martinaj, nipi i Ervis Martinajt. Ambienti në të cilin u bë atentati mbrëmë rezulton në pronësi të familjes së këtij personi, ndonëse nuk dihet ende nëse është në emrin e tij apo të ndonjë personi të familjes së tij.

Fatjon Murati u ndalua nga Policia e Tiranës mbrëmjen e 8 tetorit teksa ishte duke udhëtuar me një tjetër emër të njohur të botës së krimit. Ai rezultonte i shpallur në kërkim policor, ndërsa në makinë lëvizte bashkë me Endrit Doklen. Aso kohe u tha se Fatjon Murati është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Murati ishte i shpallur në kërkim nga policia, ndërsa emri i tij ka dalë edhe në masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë.

Murati ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje. Prokuroria e Krujës kërkoi marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin e ndodhur të dielën në zonën e njohur si mbikalimi i FushëKrujës, ku mbetën të vrarë tre të rinjtë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Mes emrave që kërkon organi i akuzës të pyeten ishin Gentian Reçi, djali i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi, numri dy i bandës së Durrësit Endrit Dokle, në lidhje krushqie me ish-policin e vrarë, dhe nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, Ramazan Rraja. Gjithashtu, organi i akuzës kërkoi marrjen në pyetje në lidhje me atentatin me tre viktima dhe të shtetasve Alesio Dobrozi, Rohan Brahimi dhe Fatjon Murati.

Grupi hetimor mblodhi prova të shumta në vendngjarje, dy aparate celularë pjesërisht të djegur dhe më shumë se 60 orë filmime të kamerave të sigurisë. Paraprakisht, grupi hetimit dyshon se autorët kanë qenë katër persona të përgatitur për ngjarje të tilla dhe që e njihnin mirë zonën. Tre prej tyre kanë hapur zjarr me breshëri sapo mjeti “Passat” me të cilin udhëtonin viktimat u fut në mbikalim. Vendi ishte zgjedhur me kujdes, që Martinaj, Hoxha dhe Vata të mos kishin asnjë mundësi shpëtimi.

SHKARKO APP