“Teatri” në Kushtetuese, Dervishaj: Kuvendi s’ka rivlerësuar konstatimet e Presidentit. Çështja të kalojë në referendum

Ka nisur paraditen e kësaj të mërkure seanca e tretë në Gjykatën Kushtetuese, ku do të diskutohet mbi shembjen e Teatrit Kombëtar, ligjin special “Fusha”, si dhe vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës që i dha vulën përfundimtare shembjes së godinës historike në zemër të kryeqytetit.

Gjykata zgjeroi dje objektin e hetimit, mbi vendimin e Këshillit Bashkiak, ndërsa sot pritet që të vendoset dhe për kërkesën tjetër të presidencës, që të pezullohet çdo lloj punimi mbi truallin ku ishte i vendosur Teatri Kombëtar.

Në fjalën e tij në seancë, përfaqësuesi i Presidencës, Bledar Dervishaj, tha se Teatri është një godinë historike e një rëndësie të veçantë dhe se vendimi që duhet të merret për të duhet të kalojë përmes një referendumi popullor, edhe pse një vendim i tillë është i vështirë që të realizohet, sa kohë që ligji për referendumet në Shqipëri nuk ekziston.

“Çështja ka nisur që në vitin 2018, Mars, që pason me daljen jashtë funksionimit të kushtetueses, që u hodh ideja e një ligji special, të një zone në qendër të Tiranës, jo vetëm asaj që ishte në pronësi të Teatrit Kombëtar. Kjo kërkesë kishte ardhur sipas bashkisë nga fusha shpk, pronar i një trualli toke në afërsi të godinës së bashkisë”, theksoi Dervishaj.

Po ashtu, Dervishaj thotë se aktet dhe vendimi i këshillit bashkiak bie ndesh pasi sipas ligjit kontratat publike duhet të jenë transparente dhe konkurruese. Kjo është e kundërligjshme, pasi ky koncesion ka qenë i kundraligjshëm.

“Çuditërisht më 26 shkurt 2020, Bashkia e Tiranës tërhiqet nga ligji special dhe kishte vendosur që në bashkëpunim me qeverinë do e ndërtonin teatrin me fonde publike. Kjo është e çuditshme pasi pak kohë më parë të njëjtat persona që kishin vendosur ta ndërtonin me fonde publike thonin që buxheti i shtetit nuk mundet që ta ndërtonin pasi i mungonin fondet.

Situata evolon, vendi futet në situatë pandemike dhe në datë 8 Këshilli ministrave, kalon në pronësi truallin e teatrit me qëllim ndërtimin e një teatri bashkëkohor. Kjo u bë me qëllim që kjo çështje të dilte jashtë juridiksionit kushtetues.

Në datë 9 presidenti bën dy thirrje publike, që të ndërpresin çdo veprim për prishjen e teatrit. Në datë 12 kryeministri në dy deklarata deklaroi se teatri do prishej. Kjo tregon se këshilli i ministrave e kishte vendosur prishjen e teatrit.

Më 14 presidenti ka depozituar në këtë gjykatë një kërkese ku bëhej thirrje mos të vendoset dore mbi godinat e teatrit derisa gjykata të shprehet. Por përkundrejt këtyre thirrjeve më 14 maj këshilli bashkiak kishte realizuar një mbledhje dhe kishte vendosur prishjen e godinave të teatrit.

Dhe në pikën 2 fillimin e procedurave për ndertimin e një teatri të ri. Pas këtij vendimi, më 17 maj u prish teatri. Të gjithë, edhe gjykata ka qeneë deshmitare sesi u prish godona dhe sesi aktorët u morën zvarrë. Të gjithë jemi dëshmitar sesi u dhunua  protestuesit dhe u proceduan penalisht.

Çështja e Teatrit Kombëtar është çështje shumë sensitive që ndiqet nga shumëkush, pasi mënyra se si u ndërhy te kjo pasuri tregon shije të hidhur të cilës duhet ti japë zgjidhje gjykata kushtetuese. Se si kjo pasuri duhet të jetë në të ardhmen duhet të vendos populli me referendum.

Nuk mundet që qeveria, bashkia dhe kuvendi të vazhdojmë procedurën për ndërtimin e një teatri pa u dhënë një vendim nga gjykata kushtetuese. Presidenti nuk ka qenë kundër ngritjes së një teatri të ri, ai ka kërkuar ndërtimin e një teatri pa u cënuar godinat e këtij institucioni, pasi ato ishin monument kulture”, theksoi përfaqësuesi i Presidencës, Bledar Dervishaj.

SHKARKO APP