U gjet i vrarë, zbulohen lëvizjet e fundit të Xhaferrajt me autorët e krimit

Të tjera detaje kanë dalë në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit Fridman Xhaferraj.

Burime për News24 pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë bëjnë me dije se viktima, i shoqëruar nga Lulëzim Spahia, person i shpallur në kërkim tashmë, dhe një person tjetër i moshuar i paidentifikuar nga ana e policisë, në datat 25, 26 dhe 27 maj janë strehuar në një prej hoteleve në periferi të qytetit të Korçës. Në xhepin e pantallonave të viktimës janë gjetur kartëvizitat e hotelit në fjalë.

Bëhet me dije gjithashtu se Lulëzim Spahia në datë 21.5.2021 është shpallur në kërkim nga gjykata e Durrësit, si i dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Në datën 24 maj, viktima Fridman Xhaferraj dhe i shpalluri në kërkim Lulëzim Spahia, janë takuar fillimisht në Elbasan e më pas kanë udhëtuar drejt qytetit të Korçës, ku kanë qëndruar së bashku për katër ditë. Së bashku me Xhaferrajn dhe Spahian, në hotel me ta, ka qëndruar edhe shtetasi me iniciale K.B, i dyshuar edhe ky nga policia për veprën penale të vrasjes me dashje.

Për momentin policia nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjet apo lëvizjet e viktimës dhe dy të dyshuarve.

Kujtojmë se viktima Fridman Xhaferraj është gjetur nga një banor i zonës, i mbytur në rezervuarin e Gjançit.

SHKARKO APP