Home Aktualitet Vaksina më e ...

Vaksina më e fundit ndaj COVID-it tashmë e disponueshme për amerikanët

35
0

Shumica e amerikanëve duhet të marrin vaksinën më të fundit ndaj COVID-it, njoftuan të martën zyrtarët e shëndetësisë.

Komisioni këshillimor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) miratoi vaksinat e reja për personat e moshës nga 6 muaj e lart, dhe ky sugjerim u mbështet menjëherë nga drejtorja e këtij institucioni.

Ashpërsia e pandemisë COVID-19 ka rënë, por ka ende mijëra raste shtrimesh në spitale dhe qindra vdekje çdo javë në Shtetet e Bashkuara. Shtrimet në spital janë shtuar që nga fundi i verës, megjithëse duket se shifrat kanë tendencën të bien, në veçanti në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara.

Ekspertët megjithatë shqetësohen se imuniteti nga vaksinimet dhe infektimet e mëparshme mund të jetë duke u zbehur tek shumë persona, dhe mendojnë se një vaksinë e re do të shpëtonte shumë jetë.

Sipas një anketimi të cituar nga CDC-ja muajin e kaluar, rreth 42% të të pyeturve thanë se do ta bënin një vaksinë të re. Megjithatë, vetëm 20% e personave në moshë madhore morën një dozë të përditësuar të vaksinës, kur ajo u ofrua vitin e kaluar.

Doktorët shpresojnë që të vaksinohen mjaftueshëm njerëz për të ndihmuar në shmangien e një epidemie të trefishtë, siç ndodhi vitin e kaluar, kur u mbingarkuan spitalet me një sezon të hershëm gripi, me një valë të sindromës të rrugëve të frymëmarrjes, dhe një tjetër valë dimërore të koronavirusit.

Vaksinat e miratuara janë të kompanive Pfizer dhe Moderna. Sipas Administratës për Barnat dhe Ushqimet (FDA) duke filluar nga mosha 5 vjeç, shumica e njerëzve mund të marrin një dozë të vetme edhe nëse nuk kanë bërë më parë vaksinën kundër COVID-19. Fëmijët më të vegjël mund të kenë nevojë për doza të mëtejshme, në varësi të historikut të tyre të vaksinimit dhe infektimeve.

Ashtu siç veprohet me vaksinat e gripit, të cilat përditësohen çdo vit, FDA-ja i dha një formulë të re firmave prodhuese të vaksinave ndaj COVID-19ës. Dozat më të fundit do të kenë në objektiv një nënvariant të omikronit, të emërtuar XBB.1.5. Ky është një ndryshim i madh nga viti i kaluar, kur vaksinat patën në objektiv një gamë të gjerë variantesh të koronavirusit dhe të një versioni më të hershëm të omikronit.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit