Home Aktualitet Vr*sjet 2023!...

Vr*sjet 2023! Krime brenda familjes, disa gra të vr*ra! Në botën e kr*mit u lanë hesape të vjetra

48
0

Viti 2023 nisi me ngjarje makabre që në javën e parë të janarit, që pasoi me larje hesapesh, me llogari të mbetura hapur vite më parë, dhe u mbyll me një vrasje brenda një burgu të sigurisë së lartë. Më shumë sesa gjakmarrja e cila ‘nuk përbën më lajm’, ky vit ka shënuar ndoshta krimet më të rënda brenda familjes. Me apo pa dashje, nëna vret foshnjën, vëllai vëllanë, motra motrën, babai djalin, djali babanë, dhe rasti më i shpeshtë, burri gruan.

4 janar- Nëna hedh në lumë foshnjën në Shkodër

E solli në jetë dy ditë para Vitit të Ri, por një nënë 32-vjeçare nga Shkodra, vendosi të hidhte në lumin Kir djalin e saj vetëm pak ditë pas lindjes. Vajza tregoi se krimin e kreu në gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa fëmijës nuk i ka deklaruar atësinë.

27 janar- Burri vret gruan dhe vëllanë në Gramsh

Krimi i dyfishtë brenda familjes tronditi Gramshin pasditen e 27 janarit, kur 80-vjeçari vrau gruan dhe vëllanë e tij. Ngjarja ndodhi në fshatin Tërvol. Xhevit Sinani ekzekutoi me sëpatë bashkëshorten e tij, Zegjine Sinani 74 vjeçe dhe të vëllanë, Shaqir Sinani 73 vjeç për motive që ende nuk dihen. 80-vjeçari ndodhet pas hekurave.

17 shkurt- Babai vret djalin në Maliq

Një baba vrau djalin me çekiç në fshatin Zvezdë të Maliqit, pasi sipas tij, ai tentoi ta hidhte në pus. Viktima, Hamdi Bylykbashi i divorcuar nga bashkëshortja, jetonte jashtë shtetit, ndërsa kishte disa muaj që ishte kthyer nga Franca. Sipas dëshmive, ai konsumonte alkool çdo ditë, ndërsa pas një konflikti, tentoi ta shtynte në pus babanë, por ky i fundit e goditi për vdekje.

1 mars- Dan Hudra kryen masakër, vret Mevlute Hysën, Hasime Dafkun dhe Etleva Kurtin

Kjo ngjarje do të mbahet mend gjatë si një nga masakrat më të rënda të ndodhura ndonjëherë, tre gra u vranë vrenda ditës nga i njëjti person. Dan Hutra në fillim plagosi me thikë Marjana Gurakuqin, me pretekstin se i fshehu paratë që i la për t’i ruajtur. Më pas shkoi drejt shtëpisë ku jetonte bashkëjetuesja e tij në “Paskuqan”, Elena Hysa, për të cilën dyshonte se djali që lindi nuk ishte i tij. Atë e plagosi bashkë me të ëmën, Kujtimen, por breshëria e kallashit vrau vajzën e familjes Mevlute Hysa, dhe nusen e vëllait Hasime Dafku. Nga aty, Hutra u nis për Kamëz dhe shtiu me kallash Etleva Kurtin, motrën e Vladimir Kurtit, me të cilin kishte nisur probleme në qeli. Plani i tij ishte të vriste edhe një të katërt, por u kap disa orë më vonë në Sharr.

25 shkurt- Vrasje për pulat

Krenar Brisku, 54 vjeç, po vidhte pula në pronën e Bjorni Shusharit në një fshat të Kuçovës mesnatën e 25 shkurtit, por nuk e dinte që shpendët do i kushtonin jetën. Kur pronari i tyre e pikasi hajdutin, ai e rrahu barbarisht 54-vjeçarin. Hajduti, i cili mendohet se ishte në gjendje të dehur, ka pësuar fraktura të forta në kokë dhe humbi jetën në spital.

13 mars- Vritet Mimoza Paja në sy të mbesës

Mbrëmja e vonë e 12 marsit do të mbetet gjithë jetën në memorien e Rea Pajës, vetëm 10 vjeçe. Në një lokal në “Don Bosko” ku punonte gjyshja e saj, Mimoza Paja, u shkrehën kallashnikovët. Mimoza, më e pafajshma e atij lokali, mbeti e vdekur në vend, ndërsa 5 të tjerë u plagosën. U dyshua se atentati kishte shënjestër Fatjon Muratin dhe kishte lidhje me grupin e Ervis Martinajt.

27 mars- Sulmohet Top Channel, vritet roja i sigurisë, Pal Kola

Ndërsa 27 marsi, do të mbahet mend nga të gjithë punonjësit e medias më të madhe në vend, por jo vetëm. Teksa ora po kalonte 1:00 e mëngjesit, persona që mbeten të paidentifikuar ende sot pas 9 muajsh, lëshuan kallashnikovin në drejtim të godinës, duke lënë të vdekur në vend rojën e sigurisë, Pal Kola. Ngjarja u përcoll me jehonë nga ndërkombëtarët, u dënua në Shqipëri, por drejtësia sot, ende është ende larg zbardhjes së ngjarjes së rëndë.

29 mars- Vrasje e dyfishtë në Kavajë për motive banal

Edmond Gosa dhe Altin Rexha ishin dy viktimat e radhës në Kavajë, pas një sherri për motive të dobëta me njëri-tjetrin. Përplasjet mes tyre kishin nisur tre ditë para ngjarjes për ‘fjalë goje’, e që përfundoi në vrasje të dyfishtë. Kjo ngjarje pasoi edhe një tjetër vrasje.

31 mars- Dhunohet për vdekje Gentjan Talja për konflikt të çastit

Mesnatën e 31 marsit në zonën e ish-bllokut në Tiranë, pas një konflikti të çastit, u qëllua me grushte 46-vjeçari Gentian Talja, i cili ndërroi jetë më 4 prill pas plagëve të rënda. Gentian Talja dhe Henri Gjapi, 26 vjeç, u takuan rastësisht. Të dy, në gjendje shumë të dehur, nisën të grinden me njëri-tjetrin dhe pas një goditje, Talja humbi ekuilibrin dhe gjatë rënies goditi me kokë bordurën e trotuarit. Autori u arrestua më 8 gusht.

8 prill- Roland Sinani vret kunatën në sy të vajzës në Shkozë

Roland Sinani vrau me armë zjarri kunatën e tij rreth orës 04:00 të mëngjesit në Shkozë të Tiranës, ndërsa 43-vjeçari dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor. Në momentet e fundit të jetës, 37-vjeçarja Migena Sinani ishte në shtrat duke fjetur me vajzën e saj dy vjeçare. Migena ishte nënë e dy fëmijëve të mitur, vajza dy vjeçe dhe djali 4 vjeç. Pasi ka qëlluar kunatën, 43-vjeçari vrau edhe veten.

18 prill- Vritet 20-vjeçari në Tiranë

20-vjeçari Stiven Toskëshi, humbi jetën pas mesnatës në Rrugën ‘4 Dëshmorët’ në kryeqytet, pasi u qëllua me thikë nga një adoleshent. Dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një vajze. Si të përfshirë në ngjarje u raportuan Axel Hoxhaj, 18 vjeç dhe Ensi Maze, 18 vjeç.

19 prill- Vritet biznesmeni në Lezhë, Ardian Nikulaj

Një ndër ngjarjet më të bujshme sa i takon hakmarrjeve ishte vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, që u pasua dhe më dy vrasje të tjera gjatë këtij viti. Nikulaj po qëndronte ulur brenda biznesit të tij, kur portugezi, me skafandër dhe me maskë hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Për kryerjen e kësaj vrasje, Edmond Haxhia bashkëpunoi me disa të huaj të kamufluar si turistë, të cilët e vëzhguan për ditë me radhë shënjestrën. Pas ngjarjes, një pjesë e vrasësve u larguan nga Rinasi dhe të tjerë në rrugë tokësore në Greqi, por shumë shpejt u arrestuan një e nga një. Disa prej tyre ndodhen pas hekurave. Vrasja e tij pasoi me ekzekutimin e Etjan Nikulajt dhe Nikolin Lekstakajt.

2 maj- Vrasje për qiranë në Shkodër

51-vjeçari Petrit Vuksani ishte kthyer nga Anglia para një muaji, por gjeti vdekjen në banesën e tij në Shkodër në maj të këtij viti. Shkak i vrasjes dyshohet qiraja e shtëpisë që Petrit Vuksani ia kishte lënë të afërmit të tij, Lekë Vuksanit. Petrit Vuksani i ka kërkuar paratë dhe konflikti deradoi në përdorimin e armës.

16 maj- Vritet nga bashkëmoshatarët 16-vjeçari në Gramsh

Fatjon Bici, nxënës i klasës së 9-të ishte nisur për në shkollë mëngjesin e 16 majit, por një konflikt mes adoleshentëve i mori jetën. Ai u godit me thikë, pasi u fut për të ndarë sherrin mes kushëririt të tij dhe disa bashkëmoshatarëve. Adoleshentët ndodhen pas hekurave.

17 maj- 44-vjeçari vret motrën e gruas në Elbasan

Në Kusardh të Elbasanit, një 44-vjeçare u vra nga burri i motrës. Alma Qevani u godit me sëpatë nga kunati i saj Tefik Tashi, 58 vjeç, pas një debati. 58-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur në momentin e krimit ndërsa pas arrestimit u tha hetuesve se Alma e kishte sharë. Autori ndodhet pas hekurave.

21 maj- Vritet për hakmarrje Arjan Gosa

Arjan Gosa mbeti i vrarë pasditen e 21 majit në Kavajë, teksa po konsumonte kafe me babanë e tij. Ai u vra vetëm dy muaj pas të vëllait, Edmond Gosës. 48-vjeçari u vra për hakmarrje, pasi në ditën që u vra i vëllai, u vra dhe Altin Rexha.

29 qershor- Vriten babë e bir për hakmarrje në Dukagjin

Gjokë dhe Eduard Gurra, u vranë rreth orës 16:40 minuta të 29 qershorit 2023 në fshatin Sumë, Njësia Administrative Pult të Dukagjinit. Ata u qëlluan me breshëri kallashnikovi ndërsa kanë qenë brenda në makinë duke udhëtuar drejt banesës së tyre të djegur në Dukagjin, e cila ishte djegur qëllimisht. Ngjarja u raportua për hakmarrje.

19 korrik- Nikoll Lestakaj vritet për hakmarrje

Një atentat mafioz ndodhi pasditen e 9 korrikut në fshatin Balldren të Lezhës ku u ekzekutua me breshëri plumbash Nikolin Marku Lekstakaj. 42-vjeçari u qëllua me armë zjarri teksa po dilte nga ambientet e një marketi të vogël ku bleu një pije freskuese. Dyshohet se 42-vjeçari është vrarë për të marrë hakun e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj që u vra në Shëngjin, fiks 3 muaj më parë.

29 korrik- Burri vret gruan dhe e hedh në kanal

Një 46 -vjeçare u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, i cili më pas trupin e hodhi në gropën e ujërave të zeza në Zëmblak të Korçës. Autori Gjergji Mullalli pas ngjarjes hapi zjarr ndaj policisë dhe vrau veten. Vrasja dyshohet për xhelozi. Luiza Mullalli, nënë e 3 fëmijëve, kishte marrë urdhër mbrojtje, pasi bashkëshorti 55-vjeçari e dhunonte prej kohësh.

2 gusht- Vritet poshtë urës së Dajlanit e pastreha

32-vjeçarja Lulejta Preza, pjesëtare e komunitetit rom u vra në orën 01:00 të datës 2 gusht poshtë Urës së Dajlanit. Luljeta u godit me thikë nga dy autorë për shkak të një konflikti për para.

7 gusht- Vrasje me grushte në Vlorë

Një borxh i pashlyer u bë shkaku i një vrasjes së inxhinierit 55-vjeçar Armando Meshau mesditën 7 gushtit në Vlorë. Ngjarja u kap edhe nga kamerat e sigurisë, ku gjithçka nisi me një përplasje fizike mes Rei Metës dhe Armando Meshaut. Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e një qendre interneti në Vlorë për shkak të një banese.

14 gusht- Vritet me kaçavidë i riu në Bulqizë

Dritan Manjani, 26-vjeç humbi jetën në spital mbrëmjen e 14 gushtit, pasi u godit me kaçavidë nga bashkëfshatari i tij, Dorjan Dema. Konflikti nisi në një lokal të fshatit, ku autori, Dorjan Dema qëndronte në tavolinë me 4 shokë të tij, ndërsa viktima, Dritan Manjani në tavolinë tjetër. Pasi u largua, fqinji i tij shkoi dhe e vrau në banesë teksa po hante bukë.

31 gusht- Djali vret babanë në Vlorë me eksploziv

56-vjeçari nga fshati Gjorm i Vlorës, Durmish Glluçaj, humbi jetën nga shpërthimi me eksploziv. Djali 23-vjeçar Mato Gllucaj kishte organizuar vrasjen duke e vendosur lëndën shpërthyese në sobën me gaz në oborrin e shtëpisë. Sapo babai i është afruar sobës, djali e ka shpërthyer përmes një mekanizmi elektrik. Shkak dyshohet dhuna e vazhdueshme.

3 shtator- Motra vret motrën në Tiranë

Sherret e vazhdueshme dhe abuzimi me alkoolin u bën shkak i konflikti mes dy motrave në Tiranë, që degradoi me vrasje. 37-vjeçarja Amanda Pushani u vra nga motra e saj 40-vjeçare me profesion mësuese e Gjuhës Shqipe.

17 shtator- I moshuari vret gruan me shkop

Një 80-vjeçare u vra nga bashkëshorti mëngjesin e 17 shtatorit në banesën e tyre në fshatin Pëllumbarë të Përmetit. Sipas policisë, punonjësja që përkujdesej për çiftin, gjeti të pajetë dhe me shenja dhune të moshuarën, e cila ishte goditur me shkop nga bashkëshorti i saj 82-vjeçar.

21 shtator- Vrasje për një vend parkimi në Shkodër

Valter Fjerza, 33-vjeç u vra mbrëmjen e 21 shtatorit në fshatin Hot i Ri të Shkodrës vetëm pak metra larg banesës së tij. I ri po shkonte me makine në lokalin e fshatit pasi kishte mësuar se i vëllai, Kol Fjerza po konfliktohej me 5 djem të fisit Mhilli. Sherri mes Kol Fjerzës dhe autorit të dyshuar, Klodian Mhilli kishte lindur për një vend parkimi. Ata kishin pasur edhe një konflikt të hershëm mes tyre, por viktima Valter Fjerza nuk ishte pjesë e konfliktit.

26 shtator- Vritet për hakmarrje i sapo dali nga burgu

Martin Bardhi u ekzekutua me armë zjarri paraditen e 26 shtatorit teksa po pinte kafe në lokalin në pronësi të tij në Rrëshen. Ngjarja ishte në kufijtë e një masakre, pasi mbetën të plagosur edhe tre qytetarë të tjerë, që po konsumonin kafe në lokalin e viktimës. Të plagosur mbetën edhe kushëriri i viktimës Indrit Bardhi, Olti Gjini dhe Ilir Bardhoku. Dyshohet se hakmarrja ka qenë shkak i vrasjes, pasi në mars të këtij viti, së bashku me të birin, Erind Bardhin, Martini qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit Saimir Reçit, nipi i Kastriot Reçit të ekzekutuar në vitin 2020. Saimir Reçi arriti t’i shpëtonte atentatit, ndërsa Bardhi u vu në pranga. Vetëm pak ditë më parë, ai kishte dalë nga burgu. Mes fiseve Reçi dhe Bardhaj ka pasur vazhdimisht konflikte.

27 shtator- Vritet Zef Guri në Dukagjn

Zef Guri 73-vjeç, u vra mbrëmjen e 27 shatorit në një zonë të thellë të Dukagjinit. Pista kryesore e hetimeve ishte konflikti për kultivimin e kanabisit.

19 tetor- Vritet me sëpatë 70-vjeçari

Një 70-vjeçar u gjet i vdekur paraditen e 19 tetorit në një kanal në fshatin Boks të Shkodrës. Pas një konflikti për motive të dobëta, ai u godit në kokë më sëpatë nga një 60-vjeçar. Fillimisht u raportua se 70-vjeçari kishte humbur jetën për shkaqe natyrale, por më pas fqinji i tij u arrestua për veprën penale “Vrasja me dashje”.

30 nëntor- Vrasje për një kanal në Kamëz

Maliq Marku, i ardhur pak kohë më parë nga jashtë shtetit, qëlloi më disa plumba mesditën e 30 nëntorit në Laknas të Kamzës, duke vrarë fqinjin 69-vjeçar, Shefqet Hasën dhe duke plagosur Besim Keqan. Plagosja erdhi pas debatit për një kanal që po ndërtohej në zonë.

2 dhjetor- Vrasje tjetër për hakmarrje në Lezhë

Entjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardjan Nikulajt, u vra rreth orës 21:30 minuta 2 dhjetorit në dalje të Lezhës. Pista kryesore e vrasjes së tij është si pasojë e hasmërisë shumë vjeçare mes fiseve Lekstakaj dhe Nikulaj.

7 dhjetor- Atentat me makinë në Fier

Elton Javori u vra pasi u nxor në pritë paraditen e 7 dhjetorit. Autori hapi xhamin e makinës së tij dhe e qëlloi në ecje. Momenti i atentatit u filmua edhe nga kamerat ë sigurisë, ndërsa autorët janë në kërkim. Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis shtetasit A. G. dhe viktimës për motive të dobëta.

15 dhjetor- Vrasje brenda burgut të sigurisë së lartë në Peqin

Një vrasje me paramendim u shënua mesditën e 15 dhjetorit në ambientet të burgut të sigurisë së lartë në Peqin. Sokol Mjacaj, i cili vuan dënimin me burg përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë, 8 vjet më parë, vrau Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjen. Ai përdori një pistoletë të futur brenda burgut, për të cilën autoritetet përkatëse nuk kanë ende një përgjigje sesi u fut në burg. Ngjarja që tronditi themelet e sigurisë në burgje, solli një zinxhir shkarkimesh të IEVP-së Peqin. /TCH/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit