Zgjedhjet gjermane pothuajse në barazim mes konservatorëve dhe socialdemokratëve

Lajm i fundit: Rezultatet deri në ora 08.00 janë si me poshtë sipas radios gjermane DW, ku shikohet se partia e kancelares Merkel ka pësuar humbje. Ndërsa SocialDemokratët gjermanë SPD janë fitimtarët, por prapë qeveria duhet krijuar me koalicion.

-CDU/CSU   24.1 %

-SPD           25.7 %

AFD             10.3 %

FDP             11.5 %

LEFT            4.9 %

Të Gjelbrit     14.8 %

Te tjerët        8.6 %

Koment nga Zëri Amerikës-

Konservatorët e CDU/CSU-së dhe rivalët e tyre social-demokratë rezultojnë praktikisht të barabartë në zgjedhjet kombëtare të së dielës, sipas anketimeve të zhvilluara gjatë ditës së votimit, duke e lënë kështu të hapur se cila palë do të drejtojë qeverinë e ardhshme, ndërsa Angela Merkel përgatitet të japë dorëheqjen pas 16 vitesh në pushtet.

Blloku kristian-demokrat (CDU/CSU) ka marrë 25% të votave, rezultati i tyre më i dobët në zgjedhjet federale të zhvilluara pas luftës dhe në një nivel me social demokratët e qendrës së majtë (SPD), tregoi anketimi i zhvilluar për kanalin ARD. Një sondazh i Forschungsgruppe Wahlen për kanalin ZDF radhiti SPD-në dhe kandidatin e saj për kancelar Olaf Scholzin me 26% dhe CDU/CSU-në me 24%.

“SPD është rikthyer. Ne jemi aty ku na takon”, tha Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil menjëherë pas anketimeve të para gjatë ditës së votimit. Ai tha se anketimet treguan se SPD-ja dhe kandidati i saj për kancelar Olaf Scholz kanë mandatin për të qeverisur.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak i tha kanalit ARD pas publikimit të sondazhit të tyre se: “Kjo na dhemb”.

Vëmendja tani do të kalojë tek diskutimet joformale – ka të ngjarë me të gjelbrit, të cilët radhiten në 15% dhe Demokratët e Lirë liberalë (FDP), me 11% – të pasuara nga negociata më formale të koalicionit, të cilat mund të zgjasin me muaj, duke e lënë zonjën Merkel të vazhdojë të drejtojë qeverinë.

“Do të varet gjithçka nga arritja e marrëveshjeve midis lojtarëve të shumtë, dhe disa opsione duken të mundshme”, tha Carsten Nickel, konsulente politike. “Bisedimet mund të zgjasin për ca kohë”.

Zonja Merkel ka qenë në pushtet që nga viti 2005, por planifikon të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve, duke e bërë votimin një zhvillim transformues për të përcaktuar kursin e ardhshëm të ekonomisë më të madhe të Evropës.

Zgjedhjet vendosën përballë njëri-tjetrit Armin Laschetin, nga CDU-ja, dhe Olaf Scholzin, ministër i financave në “koalicionin e madh” të Kancelares Merkel, i cili fitoi të tre debatet televizive midis kandidatëve kryesorë.

Pas një fushate zgjedhore të fokusuar në çështjet e brendshme, aleatëve të Berlinit në Evropë dhe më gjerë mund t’u duhet të presin për muaj para se të shohin nëse qeveria e re gjermane është e gatshme të angazhohet në çështjet e jashtme në masën që ata do të donin.

Një tensionim mes Uashingtonit dhe Parisit mbi një marrëveshje që Australia të blejë nëndetëse amerikane, në vend të nëndetëseve franceze, e ka vendosur Gjermaninë në një pozitë të vështirë midis aleatëve, por gjithashtu i jep Berlinit shansin të ndihmojë në shërimin e marrëdhënieve dhe rikonceptimin e qëndrimit të tyre të përbashkët ndaj Kinës.

Për sa i përket politikave ekonomike, Presidenti francez Emmanuel Macron është i etur për të krijuar një politikë të përbashkët fiskale evropiane, të cilën të gjelbrit e mbështesin, por CDU/CSU-ja dhe FDP-ja e refuzojnë. Të gjelbrit gjithashtu duan “një ofensivë masive për zgjerimin e burimeve të rinovueshme”.

Cilido qoftë koalicioni që do të marrë pushtetin, miqtë e Gjermanisë të paktën mund të marrin zemër nga një fushatë zgjedhore në të cilën mbizotëroi centrizmi i moderuar dhe ku nuk arriti të hyjë populizmi që ka zënë vend në vendet e tjera evropiane.

Anketimi i kanalit ARD tregoi se Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë ishte pranë nivelit 11%, nën 12.6% që kishte marrë katër vjet më parë, dhe të gjitha partitë e tjera e kanë përjashtuar një koalicion me të./VOA/

Koment nga radio gjermane DW:

Dominanca e partive CDU/CSU dhe SPD i përket tani së shkuarës – zgjedhësit kanë votuar qartë për ndryshimin. Ky është një shans për ndryshimet e nevojshme, mendon kryeredaktorja e DW Manuela Kasper-Claridge    

Bundestagswahl 2021 | Wahlparty der GrünenNdryshimi ka ndodhur. Vota e gjermanëve është e qartë: T’u jepet fund kompromiseve minimale të „koalicionit të madh”. Të hapet rruga për detyra të mëdha si mbrojtja e klimës, digjitalizimi dhe modernizimi i nevojshëm i Gjermanisë. Këtë detyrë herkualiane partitë mund ta realizojnë tani vetëm së bashku partitë më të vogla. Në të gjitha opcionet për koalicione të mundshme si partia „Të Gjelbërit” edhe ajo liberal-demokrate FDP do të luajnë rol të rëndësishëm. Pa këto dy parti nuk mund të krijohet qeveria. E është mirë kështu. Nodshta madje kështu krijohet një qendër e re liberale.

Nusja e gjelbër me kosto të lartë 

Rritje të ndjeshme elektorati ka pasur partia Të Gjelbërit, gjë që tregon, se frika për pasojat e ndryshimit të klimës i preokupon zgjedhësit. Me këtë rezultat Të Gjelbërit do të hyjnë plot vetëdije në bisedimet e sondazhit për krijimin e koalicionit qeverisës. Ekologjistët janë si nusja, që po e kërkojnë shumë, por ajo mund tarrisë koston e pajës. Por me gjasë Gjermania është më pak e gatshme për ndryshimet nga sa kishte shpresuar kandidatja e ekologjistëve Annalena Baerbock. E aq më tepër nëse këto ndryshime kushtojnë para. Edhe këtë e dëshmon rezultati i zgjedhjeve.

FDP bashkëvendos

Edhe FDP është e rëndësishme. Krijimi i qeverisë së re pa këtë parti është i pamundur. Liberalët me konceptet e tyre politike shumë të ndryshme nga ato të ekologjistëve mund t’i frenojnë disa prej dëshirave të të gjelbërve. Liberal-demokratët i besojnë tregut të lirë, insistojnë për digjitalizimin dhe duan mbrojtjen e klimës pa rritjen e taksave. Se si mund të funksionojë kjo, pritet të sqarohet në bisedimet e sondazhit për krijimin e qeverisë.

Është i qartë dështimi elektoral i CDU/CSU-së, edhe pse humbja e votave është më e vogël nga sa parashikonin sondazhet e fundit. Minusi dramatik krahasuar me zgjedhjet e mëparshme është mëse evident. Kandidati për kancelar Armin Laschet nuk arriti t’i bindë zgjedhësit, ndonëse si kryeministër i landit  të Renanisë Veriore – Vestfalisë ai është i suksesshëm. Edhe partia simotër bavareze CSU ka pësuar humbje. Rezultati më i dobët ky për këtë parti në zgjedhjet parlamentare që nga viti 1949. Pas 16 vjetësh në qeveri unionit konservator s’i mbetet veçse të ulet në bankën e opozitës.

Opcioni Xhamajka

Megjithatë CDU/CSU do të përpiqet me të gjitha mundësitë të krijojë qeverinë – një të ashtuquajtur koalicion Xhamaika (shën. red. për shkak të ngjyrave simbol të partive që përkojnë me ngjyrat e flamurit të Xhamajkës) – koalicion zi, gjelbër, verdhë pra me ekologjistët dhe liberalët. Kjo është e mundur, edhe pse konservatorët dalin forca e dytë. Vendimtare do të jetë, se kush do t’ia arrijë të krijojë një koalicion me një mazhorancë të qendrueshme. E në historinë federale ka ndodhur tri herë që grupi më i fortë parlamentar nuk ka arritur të ketë kancelarin.

Merkel 2.0

Një sfidë kjo për Olaf Scholz, i cili e bëri partinë socialdemokrate më të fortën në këto zgjedhje. Ndonëse me fitore të ngushtë, ai ia doli të rikuperojë në mënyrë të pashmbullt pozicionin e SPD-së. Socialdemokratët në sondazhe luhateshin në fillim të fushatës pjesërisht deri tek 12 përqind. Partia popullore e dikurshme dukej se ishte përtokë. Olaf Scholz ia doli kthesës. Megjithatë se çfarë synon ai personalisht, çfarë është e rëndësishme për të, kjo mbeti e paqartë. Ai të le përshtypjen si një lloj “Merkel 2.0”. Tek ai mund të mbështetesh, është profesionist dhe pa emocione të mëdha. Kjo duket se u ka pëlqyer zgjedhësve.

Opcioni semafor

Tani Olaf Scholz duhet të tregojë, se çfarë potenciali ka. Nëse ai do të bëhet kancelari i ardhshëm, duhet të hyjë shpejt në bisedime me të gjelbërit dhe liberalët. Krijimi i një koalicioni me ngjyrat e semaforit: kuq, gjelbër, verdhë, është qëllimi i tij. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Sepse atij do t’i duhet t’u bëjë lëshime partive më të vogla. Lidhur me politikën për klimën ose atë fiskale. Të njëjtën gjë do të përpiqet të bëjë edhe CDU-ja, të cilën ai e ka pas qafe.

Rezultati ende i hapur

Rezultati është ende i paqartë, por gjermanët nuk e duan vazhdimin e politikës së Angela Merkel-it. Pushteti dhe influenca e partive të mëdha CDU dhe SPD krahasuar me kohët e mëparshme është tkurrur ndjeshëm.

Politika gjermane po bëhet më e larmishme. Ky është një shans i madh për trajtimin e temave të së ardhmes. Mbrojtja e klimës dhe digjitalizimi.

 

 

SHKARKO APP