Prezantohet Shkëlqim Muça, pas 7 vjetësh rikthehet “në shtëpi”
Tirana ka prezantuar sot trajnerin e ri, Shkëlqim Muça. Në mjediset e klubit bardheblu, trajneri i ri i 24 herë kampionëve të vendit ka dalë krah të presidentit Refik Halili, për të bërë prezantimin. Mund të quhet trajneri i ri, pasi nis sot zyrtarisht punën, por në fakt Shkëlqim Muça rikthehet në shtëpinë e tij, aty ku si lojtar, trajner e shef klubi numëron trofe të shumtë. Ish-futbollisti, ish-trajneri dhe ish-shefi i klubit kryeqytetas rikthehet sërish në “fole”, falë një kontrate 3-vjeçare me Tiranën.
Ajo që bie në sy në kushtet kontraktuale ka të bëjë me specifikimin e detyrës së Muçës vetëm si trajner. Pra, nuk do të ketë edhe rolin e menaxherit për lojtarët, si kolegu i tij, Shpëtim Duro, te të kuqtë, sezonin e shkuar. Natyrisht, do të japë pëlqimin e tij në përforcimet e skuadrës, sepse do të jetë ai që do ta ndërtojë skuadrën, por nuk do të ketë ekskluzivitet në këtë pikë.
Lidhur me objektivat, trajneri Muça tha se synohet titulli. Nëse nuk shkohet në drejtim të trofeve, ai do të largohet, edhe pse ka firmosur kontratë 3-vjeçare. “Natyrisht, po s’u arritën objektivat, do të largohem. Vij me mentalitet kampioni te kjo skuadër, ku kam qenë futbollist, trajner dhe drejtues klubi.
Edhe presidenti Refik Halili, u shpreh i kënaqur me marrëveshjen dhe rikthimin e Shkëlqim Muçës. “Muça ka rënë edhe vetë dakord që, nëse puna nuk i ecën si duhet, të japë dorëheqjen.”