Pse Edi ka frikë nga Rama?

Edi Rama nëse pranon të hyjë në duel në kongres me fletë votimi i ka siguruar PS-së trashegimtarin, pra kurdo që të ikë Edi do të jetë Blushi kryetar dhe kryeministër kur të fitojë zgjedhjet. Ndaj Rama nuk do. Ai ndonëse është sot majë pushtetit përsëri punon që selisë rozë t’i sigurojë trashegimtarin, që gjithsesi nuk don të jetë Ben Blushi. A po përgatit Erion Veliaj apo Saimir Tahirin kjo mbetet e vështirë të pikaset”…

Nga Nikoll Lesi

Për dreq i njoh të dy; edhe Blushin, edhe Ramën. Me të parin na lidh miqesi e hershme në media se e kisha gazetar dhe kryeredaktor të “Koha Jone” ndër vitet e vështira 1992-1997, kurse Edi Ramën si bashkëpunëtor të gazetës. Blushi me Ramën ka qenë miq shumë të ngushtë. Por sherri publik mes tyre këto ditë, ndonëse po vlonte kazani prej muajsh, tregon se kur futet pushteti mes dy miqve ikën edhe miqesia, porse mjergullohet edhe arësyeja para publikut.

Në rastin konkret kur Ben Blushi kërkon zgjedhje me votë në kongresin e PS-së, ndërsa Edi Rama nuk del vetë në institucionet zyrtare të PS-së, por nxjerr herë Taulant Ballën e herë Arben Ahmetaj, më pas Saimir Tahirin apo Erion Braçen e Niko Peleshin, tregon se ngacmimi është i Blushit , kurse gabimi i Ramës. Edhe vetë Blushi e di se nuk fitohet përballë Ramës në kongres. Nuk fitohet sepse në traditën shqiptare të një mungese të kulturës demokratike kryeministri ka interesa në dorë, ka pushtet. E dyta është se duhet pranuar se votimin, nëse bëhet e që duhet bërë, Edi Rama ka me tepër karizëm populist, ka zgjedhur delegatët siç i do, ka mediat, ka interesa ekonomike, në fund të fundit ka fituar pushtetin me votë; pra fiton në kongres. Dhe fiton bindshëm, ndonëse për mua nuk duhej të ishte kështu, që të kishte votim proRamës si në kohën e Enverit. Blushi është një figurë socialiste e nivelit të lartë dhe konkuron me ide për të bërë një drejtim më kolegjial të selisë rozë. Por nuk fiton në votim. Ndaj me habit fakti pse Edi Rama nuk del e thotë: “Po, hajde zoti Blushi në votim!”. Dhe fiton, siç e thamë me sipër. I jep edhe dorën, bile edhe një kafe dhe me shpotinë e tij “ediste” e shoqëron nga kutia e votimit për tek dera e jashtme e kongresit. Natyrisht që edhe Blushi nuk është me poshtë shpotisë dhe sarkazmës politike.

Edi Rama nuk ka frikë nga rezultati i votimit. Ai e bën për dy arësye mos tërheqjen nga vendimi personal që nuk do të shkojë në kutinë e votimit. Së pari si kokëfortesi që të mos i thonë se “të detyroi Blushi të bëhet votimi!”.E mendon paksa dhunshëm pasi,sipas tij,i rrëzohet autoriteti para vartësve. Edhe vetë Rama ka kërkuar votim e zgjedhje në vitin 2003 kur konkuroi përballë Fatos Nanos në kongresin e PS-së. Ishte Blushi  që publikisht kaloi me Edi Ramën kundër Nanos, aq me tepër që ishte edhe ministër në kabinet. Asokohe një ministër i qeverisë deklaronte votën prokandidatit antikryeministër, kurse sot krejt turra e ministrave janë sulur kundër Blushit e në servilizëm të hapur për kryeministrin Rama.

Duhet që vetë Edi Rama të mos e pranoj këtë sharlatanizëm ministrash, pasi humbet pikë në publik. Siç e thashë kongresin e ka të fituar edhe sikur të ngrihet Enver Hoxha nga varri e të futet në kongres.

E dyta arësye që më bën të hamëndësoj pse nuk shkon Rama tek votimi përballë Blushit. Dhe mendoj se kjo është kryesorja. Edi Rama nëse pranon të hyjë në duel në kongres me fletë votimi i ka siguruar PS-së trashegimtarin, pra kurdo që të ikë Edi do të jetë Blushi kryetar dhe kryeministër kur të fitojë zgjedhjet. Ndaj Rama nuk do. Ai ndonëse është sot majë pushtetit përsëri punon që selisë rozë t’i sigurojë trashegimtarin, që gjithsesi nuk don të jetë Ben Blushi. A po përgatit Erion Veliaj apo Saimir Tahirin kjo mbetet e vështirë të pikaset, porse nuk është Blushi. Kjo duket qartë nga reagimi për të mos shkuar në votim në kongres përkrah Benit.

Kjo është strategjia e Edi Ramës. Nuk e ka për sot, pasi fiton bindshëm. Po mendon për pasardhësin në PS.

Ndonëse kurrë nuk i dihet, pasi mund t’i shikojmë prapë bashkë!

SHKARKO APP