Unioni i Gjyqtarëve reagon për Tahirin: Deklaratë e papranueshme
Unioni i Gjyqtarëve e quan të paprecedentë deklaratën e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Përmes një deklarate për median ky union shpreh shqetesimin e tij të thellë kur sheh se i njëjti përfaqësues i politikës dhe ekzekutivit në mënyrë të përsëritur, bën deklarata dhe ndërmerr reagime, të cilat nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimarrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor.
D E K L A R A T E
Unioni i Gjyqtarëve ka ndjekur me vëmendje deklaratën e paprecedente në media dhe reagimin aspak etik dhe insititucional të Ministrit të Brendshëm, ndaj Gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Z. Arjan Aliaj, i cili gjatë ushtrimit të detyrës kushtetuese, me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit masa sigurimi personal në funksion të një procedimi penal të iniciuar prej Prokurorisë.
Në mënyrë të përsëritur dëshirojmë të theksojme se UGJSH mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.
Por, nga ana tjetër shpreh shqetesimin e tij të thellë kur sheh se i njëjti përfaqësues i politikës dhe ekzekutivit në mënyrë të përsëritur, bën deklarata dhe ndërmerr reagime, të cilat nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimarrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor. UGJSH vëren se përsëritja e sjelljeve të tilla ka intimiduar gjithë trupën gjyqësore dhe e ka vendosur nën një presion sistematik gjatë ushtrimit të detyrës konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve.
Këto deklarata dhe sjellje të papranueshme, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës dhe qeverisjen demokratike, vishen nën petkun e një aspirate madhore që është “Reforma në drejtësi’, duke mos patur aspak lidhje me reformën e aspiruar prej Shqiptarëve dhe mbështetur fuqimisht prej Ambasadorëve, vecanërisht nga Z. Lu dhe Znj. Vlahutin. Prandaj, gjejmë rastin të kërkojmë prej tyre që të tregohen të vëmëndshëm dhe të mbajnë qëndrimin e duhur ndaj deklaratave dhe sjelljeve të tilla, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës, parimet themelore të funksionimit të shtetit, apo reformën në drejtësi.
Republika e Shqipërisë është një republikë parlamentare, ku ndarja e pushteteve e sanksionuar qartësisht në Kushtetute, është një ndër shtyllat kryesore, mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron demokracia jonë parlamentare dhe zhvillohet shoqëria jonë. Në këtë kuadër kushtetues funksionon edhe sistemi gjyqësor dhe ushtrohet vendimarrja nga gjykatat. Është ky kuadër kushtetues dhe ligjor, sipas të cilit janë përcaktuar saktë subjektet, koha dhe mënyrat e kontrollit të një vendimi gjyqësor, i cili kursesi nuk lejon përfaqësues të pushteteve të tjera të anatemojne vendimet e gjykatave e aq me keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve, kur nuk u pëlqejnë vendimet e tyre.
Çdo veprim i kujtdo qoftë, që shmanget nga kuadri kushtetues dhe ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, jo vetem që nuk i shërben forcimit të shtetit ligjor, por përkundrazi, është një hap prapa për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Për më tepër, duhet përmendur fakti se sjellje të tilla, të cilat pretendohet se janë në funskion të respektimit të ligjit, janë krejtësisht të kundraligjshme, në kufijtë e konsumimit të disa veprave penale të parashikuara prej Kodit Penal.
Së fundmi UGJSH dëshiron të theksojë edhe një herë angazhimin e tij maksimal kundër çdo fenomeni antiligjor të vërejtur në punën e përditshme të gjykatave, sikurse dhe angazhimin e tij të plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend.