De Biasi ndryshon skemën, ja si tenton ta fitojë ndeshjen
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të ketë një detyrë shumë të vështirë sot, pasi në 15 minuta duhet të provojë gjithçka për të marrë një fitore ndaj Maqedonisë.
Megjithatë, De Biazi do t’i ketë zgjedhjet e kufizuara, pasi rregullorja e detyron që të hedhë në fushë të njëjtin formacion të momentit kur është ndërprerë takimi. Sikur të mos mjaftonte kjo, tekniku i kombëtares shqiptare ka kryer të tre zëvendësimet në dispozicion, duke aktivizuar Memushajn, Balajn e Roshin. Kësisoj, rreshtimi i kombëtares në këto minuta të fundit do të jetë ai 3-5-2 me theks ndaj lojës ofensive. Agolli do të jetë më i avancuar, si mesfushor krahu në të majtën, ndërsa në qendër të këtij reparti, Xhaka dhe Kukeli janë tëpaprekshëm.
Në të djathtë, aktivizimi i Roshit garanton një tjetër forcë ofensive. Një ndryshim thelbësor është avancimi i Memushajt, i cili do të jetë mesfushori ofensiv për këtë sfidë, duke qëndruar pas krahëve të dy sulmuesve, Sadiku dhe Balaj.